Fundoset anija në Greqi, 79 persona të vdekur dhe qindra të zhdukur

Transportimi i migrantëve të shpëtuar nga anija që u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylos.

Të paktën 79 persona kanë vdekur dhe më shumë se 104 janë shpëtuar pasi një anije e mbushur me emigrantë, u fundos në brigjet e Greqisë jugore.

Të mbijetuarit dhe zyrtarët grekë thonë se edhe qindra emigrantë të tjerë ndodheshin në bordin e saj, të cilët ende rezultojnë të zhdukur.

Një operacion kërkim-shpëtimi po realizohet, por është ndërlikuar nga erërat e forta.

Qeveria greke tha se kjo është një nga tragjeditë më të rënda me emigrantë në Greqi, dhe ka shpallur tre ditë zie.

Anija u fundos rreth 80 kilometra në jug-perëndim të Pylos, ndërkohë që autoritetet e rojës bregdetare thanë se ekuipazhi i saj kishte refuzuar ndihmën e ofruar nga ta.

Roja bregdetare tha se anija ishte parë në ujërat ndërkombëtare të martën vonë nga një avion që i përkiste agjencisë kufitare të BE-së Frontex.

Askush në bord nuk kishte veshur jelek shpëtimi, shtoi ai.

SHIKONI EDHE: Përmbyset varka në brigjet greke, mbi 50 emigrantë të zhdukur

Transmetuesi publik grek ERT tha se autoritetet kishin kontaktuar me varkën përmes telefonit satelitor në disa raste dhe kishin ofruar ndihmë, por u tha në mënyrë të përsëritur: "Ne nuk duam asgjë më shumë se të shkojmë në Itali".

Disa orë më vonë, rreth orës 01:40 të së mërkurës, dikush nga anija thuhet se ka njoftuar rojet bregdetare greke se motori i anijes nuk ishte duke funksionuar.

Roja bregdetare greke publikoi imazhe të varkës së mbushur me njerëz përpara se të fundosej, më 14 maj.

Menjëherë pas kësaj, anija u përmbys, duke u dashur vetëm dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta për t'u fundosur plotësisht.

Alarm Phone, një linjë ndihmëse emergjente për emigrantët në det, tha se roja bregdetare ishte "në dijeni se gjendja në anije nuk ishte e mirë përpara se të dërgohej ndonjë ndihmë", duke shtuar se autoritetet "ishin informuar nga burime të ndryshme" se anija ishte në telashe.

Ai shtoi se njerëzit mund të kenë qenë të frikësuar të takojnë autoritetet greke, sepse ata ishin të vetëdijshëm për "praktikat e tmerrshme dhe sistematike" të vendit.

Besohet se anija po udhëtonte nga Libia në Itali, ku shumica e atyre që ishin në bord besohet të jenë burra rreth të 20-tave.

SHIKONI EDHE: Turqia tërheq trupat e 12 emigrantëve të ngrirë në kufi me Greqinë

Ata kishin udhëtuar për ditë të tëra.

Të mbijetuarit thanë se ishin rreth 500 deri në 700 persona në bord, dhe drejtori rajonal i shëndetësisë, Yiannis Karvelis, paralajmëroi për një tragjedi të paprecedent.

"Numri i njerëzve në bord ishte shumë më i lartë se kapaciteti që duhet të lejohej për këtë anije", tha ai.

Emigrantët duke pushuar pas operacionit për shpëtim, pasi varka e tyre u përmbys në det të hapur, në Kalamata, Greqi, 14 qershor 2023.

Rojet bregdetare greke thanë se kishin parë shumë njerëz në të, dhe se anija ishte fundosur në një nga pjesët më të thella të Mesdheut.

Presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, vizitoi disa nga të mbijetuarit dhe shprehu dhimbjen e saj për ata që ishin mbytur.

Çdo vit, qindra njerëz vdesin duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun.

Në shkurt, një varkë me emigrantë u fundos pranë Kutros, në rajonin e Kalabrisë në Italinë jugore, me ç'rast u mbytën të paktën 94 njerëz - një nga incidentet më vdekjeprurëse të regjistruara në këtë rajon.