Greqia do të ofrojë mundësinë e marrjes së dozës së katërt të vaksinës kundër koronavirusit për personat mbi 60 vjeç.
Kjo dozë do të mund të merret katër muaj pas dozës përforcuese, thanë të martën zyrtarët shëndetësorë në Greqi.
“Platforma për këtë do të hapet më 7 prill”, tha Marios Themistocleous, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë greke të Shëndetësisë, i cili është përgjegjës për vaksinimin.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se ky vendim për të ofruar dozën e katërt të vaksinave të prodhuara me teknologjinë mRNA, vjen pasi infektimet në Greqi janë ende në nivele të larta, dhe se doza përforcuese është dëshmuar se është efektive në parandalimin e vdekjeve të lidhura me sëmundjen COVID-19.
SHIKONI EDHE: Varianti i fshehtë i Omicronit, tani dominues në botëZyrtarët shëndetësorë grekë më 5 prill raportuan për 18,988 raste të reja me koronavirus dhe 70 vdekje të lidhura me këtë virus.
Që prej fillimit të pandemisë, Greqia ka regjistruar 3.1 milionë raste dhe 27,816 vdekje.
Nga popullsia prej 11 milionë banorë, rreth 72 për qind janë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.