Të drejtat e grave një vit pas ardhjes së talibanëve në pushtet

Your browser doesn’t support HTML5

Pavarësisht pretendimeve të talibanëve se gratë nuk do të diskriminohen nën qeverisjen e tyre, të drejtat dhe liritë e grave janë kufizuar në mënyrë dramatike në Afganistan, duke alarmuar organizatat ndërkombëtare që merren me këto çështje.

Pas kryengritjes së gati 20 vjetëve më parë, talibanët kanë rikthyer pushtetin në Afganistan më 15 gusht të vitit 2021, teksa misioni ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, është larguar nga shteti.

Kthimi i talibanëve në pushtet ka shtyrë mbi 120.000 njerëz që të ikin nga shteti.

Pavarësisht ndasive të brendshme brenda grupit militant islamik, disa ekspertë besojnë se talibanët do të vazhdojnë të jenë në pushtet edhe në të ardhmen.

Talibanët dhe shtetet e Perëndimit janë përplasur për çështje të ndryshme, përfshirë terrorizmin dhe të drejtat e njeriut, sidomos për gratë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se gratë në Afganistan janë duke u përballur me “shkeljet më të mëdha të të drejtave të tyre, në nivel botëror”.

Përmbysja e të drejtave të grave ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar.

Nga ndalesa për edukim, e deri te rregullat për veshje, talibanët kanë kthyer mbrapsht përparimin prej dy dekadash në fushën e të drejtave të njeriut.

Kushtetuta afgane, e cila është themeluar më 2004, u ka dhënë të drejta grave për të punuar dhe edukuar.

Një raport i grupit Gender in Humanitarian Action (GiHA) ka treguar se organizatat që merren me të drejtat e grave janë duke vuajtur nën talibanët.

Shoqëria civile është kyçe në mbajtjen e autoriteteve, përgjegjëse, për zbatim të ligjeve.

Prej kur ndërhyrja ushtarake, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka rrëzuar regjimin e talibanëve më 2001, fondet e huaja kanë qenë shumë të rëndësishme në mbështetjen e organizatave të udhëhequra nga gratë, të cilat kanë në fokus transparencën, monitorimin e zgjedhjeve, të drejtat e njeriut dhe luftimin e korrupsionit.

Rreth 77 për qind e organizatave të udhëhequra nga gratë nuk kanë pasur projekte më 2022, për shkak të mungesës së fondeve, pasi shumë udhëheqëse të këtyre organizatave kanë ikur jashtë shtetit.

Pas ardhjes së talibanëve në pushtet, donatorët e huaj kanë zvogëluar ndihmën në mënyrë drastike për Afganistanin, ndonëse në këtë shtet tani ka krizë të madhe ekonomike dhe humanitare.

Perëndimi ka vendosur sanksione kundër anëtarëve të Qeverisë së talibanëve.

Numri i grave dhe vajzave që kanë nevojë për ndihma është rritur nga 8.8 milionë sa ishte më 2021, në 11.8 milionë më 2022.

Gratë jashtë vendimmarrjes

Mbrojtësit e të drejtave të grave kanë akuzuar talibanët se po tentojnë t'i zhdukin gratë nga jeta publike.

Në muajin qershor, mijëra klerikë talibanë janë mbledhur për të diskutuar çështjet me rëndësi kombëtare.

Mirëpo, liderët talibanë nuk i kanë lejuar gratë që të marrin pjesë.

Gratë veçse kanë qenë të nënpërfaqësuara në fuqinë punëtore të Afganistanit, duke variuar midis 14 dhe 15 për qind nga 1990 deri më 2012.

Piku është arritur më 2019, kur 21.57 për qind e fuqisë punëtore është përbërë nga gratë.

‘Efekti domino’

Përgjatë qeverisjes së tyre, talibanët e kanë përcaktuar se çfarë është punë e përshtatshme për gratë, duke u bazuar në interpretimin e Ligjit islamik.

Shumicës së grave u është mundësuar puna në institucione për kujdes shëndetësor dhe sektorë të edukimit, ndonëse disa janë frikësuar shumë për t’u kthyer në punë dhe janë tërhequr.

Disa mjeke dhe infermiere kanë ikur, po ashtu, nga shteti pas ardhjes së talibanëve në pushtet, duke rezultuar me mungesë profesionistësh në sektorin shëndetësor.

Politika e talibanëve për ndasi mbi baza gjinore ka krijuar edhe barriera shtesë për qasjen e grave në kujdes shëndetësor.

Në shumë departamente, pacientët trajtohen vetëm nga profesionistët e gjinisë së njëjtë.

Kjo gjë e ka rënduar situatën në këtë shtet me natalitet të lartë.

*Video nga arkivi - Viti i parë i rikthimit të talibanëve në pushtet

Your browser doesn’t support HTML5

Një vit nga kthimi i talibanëve: Rënia e Kabulit në sytë e figurave kryesore

Tërmeti shkatërrues që ka goditur juglindjen e Afganistanit dhe ka lënë të vdekur mbi 1.000 njerëz në muajin qershor, ka vënë në pah edhe koston në njerëz nga kufizimi i vendeve të punës për gratë.

Sipas raportimeve lokale, gratë e prekura nga tërmeti nuk kanë mundur të marrin ndihmë mjekësore për shkak të mungesës së mjekeve në këtë rajon.

Duke vërejtur nevojën për më shumë gra në sektorin e shëndetësisë, talibanët janë duke kërkuar ndihmë të jashtme financiare për të rritur mundësitë e trajnimit dhe punësimit për gratë.

Mirëpo, meqë raportimet për shkelje të të drejtave të grave në Afganistan sa shkojnë e rriten, komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar që të japë premtime për financime afatgjate, pa marrë garanci se situata do të përmirësohet.

Kufizimet e talibanëve në punësim të grave, kanë pasur “efekt domino”, duke e çuar sistemin shëndetësor të Afganistanit drejt kolapsit.

Vajzave u ndalohet shkollimi

Një prej kërkesave kyçe të komunitetit ndërkombëtar, për të ndarë ndihmë në Afganistan, është kthimi i vajzave në shkolla.

Në shtator të vitit 2021, talibanët ua kanë ndaluar vajzave shkollimin e mesëm.

Ky vendim ka nxitur një valë protestash në Kabul dhe ndalimin e shumë protestuesve.

Më 10 shtator, vetëm pak ditë pas rihapjes së shkollave të mesme për gratë, në lindje të Afganistanit, talibanët i kanë mbyllur sërish ato.

Lexoni edhe këtë: Me kthimin e talibanëve, jeta e vajzave afgane është “shkatërruar”

Aktualisht, janë rreth tre milionë vajza në Afganistan që nuk do të mund të kryejnë shkollimin e mesëm.

Shërbimi afgan i Radios Evropa e Lirë, ka publikuar së fundi një përmbledhje të vizatimeve, fotografive dhe letrave të vajzave afgane, përmes së cilave ato kanë treguar si e kanë përjetuar mungesën e shkollës.

Edhe nëse vajzave u mundësohet kthimi në shkolla të mesme, ikja e profesionisteve gra, ka shumë mundësi që do të ketë ndikim të keq tek ato.

Weeda Mehran, bashkëudhëheqëse e Qendrës për Studime të Avancuara (CAIS) në Universitetin Exeter, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mësuesve nuk u lejohet që të mbajnë mësim për vajza, prandaj edhe nëse vajzat kthehen në shkollat e mesme, do të ketë mungesë të mësueseve.

Gratë dhe ekonomia

Kufizimet e talibanëve ndaj grave kanë goditur rëndë ekonominë afgane.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka vlerësuar se, varësisht prej kufizimeve ndaj grave për profesionet që mund të ushtrojnë, mund të ketë pasur rënie prej pesë për qind në Bruto-Prodhimin e Brendshëm (GDP), apo rreth 1 miliard dollarë.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) rënia e numrit të grave të punësuara veçse ka ndikuar në humbje të të paktën 500 milionë dollarëve amerikanë në ekonominë afgane në 12 muajt e fundit.

Në mars të këtij viti, kur talibanët kanë marrë vendim për t'i mbyllur shkollat e mesme për vajzat, Uashingtoni ka anuluar bisedimet me talibanët në Katar për lëshimin e aseteve të Afganistanit në vlerë të 7 miliardë dollarëve.

Autoritetet amerikane i kanë ngrirë këto fonde, pas ardhjes së talibanëve në pushtet.

Shtëpia e Bardhë ka ngrirë edhe rreth 600 milionë euro si ndihmë për sektorët e edukimit, bujqësisë dhe shëndetësisë në Afganistan.

Përgatitën: Krenare Cubolli & Lendi Susuri