Shtëpia e dytë e grave pensioniste

Qendra Kulturore Sociale për të Moshuarit në Prishtinë.

Të gjitha problemet, hallet, ankesat e mërzitë thonë se i harrojnë kur hyjnë në Qendrën Kulturore Sociale për të Moshuarit në Prishtinë.

Këto janë disa gra, kryesisht pensioniste që për çdo ditë vizitojnë qendrën që gjendet në lagjen Tophane në kryeqytet.

Hapësira ku qëndrojnë është jashtëzakonisht e vogël, por dëshira për të qëndruar bashkë - shumë e madhe.

Në një dhomë të kësaj qendre është i vendosur vetëm një kauç, disa karrige, një tavolinë dhe një televizor.

Hapësira ku qëndrojnë gratë në Qendrën Kulturore Sociale për të Moshuarit në Prishtinë.

Në ditën që Radio Evropa e Lirë, (20 dhjetor) vizitoi qendrën, të pranishme ishin vetëm nëntë gra. E qeshura e tyre, muhabeti dhe atmosfera dëgjohej jashtë derës së dhomës.

Megjithatë, ditëve të tjera deri 20 gra brenda ditës takohen për të komunikuar ndërmjet vete.

Qendra në Lagjen Tophane është e vetmja ku grumbullohen gratë pensioniste, që është nën menaxhim të Komunës së Prishtinës.

Këtu nuk përmenden problemet – vetëm qejfet, thotë Hana Berisha, kryetare e Rrjetit të Grave Sindikaliste. Shumica e grave janë mbi 65 vjeç, tregoi ajo, dhe vetëm argëtimi, socializimi dhe shëtitjet e përmirësojnë cilësinë e jetës në këtë moshë.

“Kjo qendër na ofron ngrohtësi, dashuri, bëjmë muhabet e llafosemi këtu - të gjitha hallet i harrojmë. Kemi vendosur të mos tregojmë për vuajtjet, mërzitë tona e problemet që realisht mund të jenë, por jo të barten në qendër. Këtu ka argëtim”, thotë ajo.

Hana Berisha

Pas tre vjetësh, në ditën që REL-i e vizitoi këtë institucion, shoqeve iu bashkua edhe Shefkija, 80 vjeçe. Pas vdekjes së djalit, në vitin 2019, ajo kishte ndërprerë të gjitha vizitat, qoftë në familje apo qendër. Për të lehtësuar sadopak situatën shpirtërore, ajo ka vendosur që të takohet më shpesh me shoqet e saj.

“Shtëpia veç mërzi m’u ka mbushë, mërzia më është bërë hije. Kam vendosur të dal, të vij që ta harroj pak mërzinë. Këtu po kënaqemi, nuk flasim për probleme”, thotë ajo.

Këto gra i vlerësojnë të domosdoshme takimet e aktivitetet për ta tejkaluar vetminë.
Fëmijët thonë se janë të angazhuar pas punëve të tyre dhe në shumë raste mbesin të vetme në shtëpitë e tyre.

E gjatë qëndrimit në këtë hapësirë, disa nga to bëjnë punë dore.

Duken thurur çorape e duke treguar gjëra të mira, ato thanë se në qendër nuk flasin për problemet dhe vuajtjet dhe kjo u ndihmon shumë atyre.

Fegjerije Havolli, rreth 74 vjeç, që nga hapja e qendrës në vitin 2018 është e rregullt nga ora nëntë e mëngjesit deri pasdite. Duke thurur çorape me fije leshi, tregon se në shumicën e rasteve temë e bisedave është koha e tyre e rinisë.

“Më së shumti flasim për vete, sepse na kanë shkuar vitet, kemi hequr(vuajtur) në rini boll, tash na u kanë çelë sytë, po dalim, po kënaqemi. Gjatë më duket nata... si të bëhet mëngjes në ora nëntë vij e takohemi me shoqe. Bisedat, të qeshurat po e ndihmojnë mirëqenien time”, thotë ajo.

E, në raste të caktuara ato marrin dajret(defin) dhe këndojnë e vallëzojnë.

Aktivitetet në Qendrën Sociale Kulturore vizitoret thonë se e ndihmojnë shumë mirëqenien e tyre në këtë moshë.

Hapësirë e kufizuar

Qendra Kulturore Sociale për të Moshuarit është bërë shtëpi e dytë edhe për Dinore Ismajlin, 67 vjeçe. Ajo qe dy vjet ka dalë në pension dhe që atëherë pesë ditë në javë shumicën e kohës e kalon në qendër.

Ajo është nënë e një vajze. Dinorja bashkëshorti i së cilës, është vrarë në luftën e fundit, në vitin 1999, thur çorape leshi ngjyrash të ndryshme. Por, problemi i Dinorës, sikurse i të gjitha të moshuarave tjera, është hapësira e pamjaftueshme në këtë qendër.

“Për neve, do të ishte mirë të kishim një derë të veçantë dhe sipërfaqe më të madhe. Se këtu ka shumë pensionistë, nuk mundemi lirshëm të dalim në korridor, në kuzhinë, se numri i burrave është i madh. Besoni se kjo po na pengon shumë”, tha ajo.

Dinore Ismajli

Qendra e përbashkët me burra ka bërë që edhe numri i grave të jetë më i vogël, tha Synavere Llapaj, 57 vjeçe.

Ajo konsideron se qendra sociale për të moshuarat gra duhet të ketë edhe në lagje tjera.
Për të krijuar miqësi dhe argëtim ajo tha se vjen nga lagjja Dardania në lagjen Tophane.

Synavere Llapaj.

“Këtu është argëtimi, qetësia, këtu i gjejmë të gjitha. I harrojmë të gjitha problemet familjare, shëndetësore, se ne vijmë vetëm të kënaqemi. Problemi që po na paraqitet është ambienti i përbashkët me burra, një hyrje e përbashkët. Kjo na kufizon sepse argëtimet tona u pengojnë burrave - por edhe aktivitetet e tyre na pengojnë neve”, thotë Synaverja.

Ndër problemet e Qendrës gratë e përmendin ambientin e përbashkët me burra. Ato thonë se "argëtimet tona u pengojnë burrave - por edhe aktivitetet e tyre na pengojnë neve".

Miqësia e krijuar mes grave vizitore ka dalë edhe jashtë mureve të këtij institucioni. Ato shpesh dalin për shëtitje në natyrë, lokale apo organizojnë vizita gjatë vikendeve dhe festave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Jashtë dhomës së grave, korridori dhe disa dhoma të tjera janë të mbushura me tavolina me burra pensionistë që luajnë domino, shah apo me letra.

Në Kosovë rreth 200 mijë llogaritet të jetë numri i përgjithshëm pensionistëve, nga ta rreth 50 mijë kontributpagues që marrin nga 180 deri 260 euro pension, dhe rreth 150 mijë pensionistë bazë që marrin 100 euro pension në muaj. Se sa është numri i grave dhe burrave nuk dihet.