Në Iran janë vënë re standarde të dyfishta, kur autoritetet atje u kanë lejuar grave me shtetësi të huaj të ndjekin futbollin e meshkujve, ndërsa grave iraniane ua kanë ndaluar.
Kjo ka ndodhur gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës midis Iranit dhe Sirisë, më 5 shtator.
Gratë iraniane, madje edhe ato që kanë blerë bileta, nuk janë lejuar të hyjnë në stadiumin Azadi të Teheranit, por kanë shikuar me zili sirianet që kanë përcjellë ekipin e tyre.
Reagimet në mediat sociale kanë qenë të mëdha. Gratë kanë shprehur zemërim për ndalesën afatgjate, me arsyetimin se stadiumet nuk janë vende të sigurta për to.
“Nuk na kanë lejuar të futemi në stadium. Na kanë fotografuar dhe na kanë kërcënuar se do të na arrestojnë. Na i kanë marrë edhe biletat”, ka shkruar në Twitter një tifoze iraniane e futbollit me emrin, Banafshe Jamali.
Mungesa e grave iraniane dhe prania e atyre siriane në stadium është vënë re edhe nga një moderator i televizionit shtetëror.
“Mjerisht, gratë iraniane mungojnë. Shpresojmë se do të bëhet diçka. Është për të ardhur keq që shohim spektatore siriane dhe nga vende të tjera”, ka shkruar prezantuesi po ashtu në Twitter.
Disa kanë thënë se politika me dy fytyra i bën të ndjehen si të huaja në vendin e tyre.
“Është sikur prindërit tanë të lejojnë vajzën e fqinjit të përdorë objektet e shtëpisë sonë, por të na ndalojnë neve ta bëjmë të njëjtën gjë”, ka shkruar një përdoruese në Twitter.
Sipas disa raporteve, disa gra iraniane kanë arritur të hyjnë në stadium duke mbajtur flamuj të Sirisë dhe duke pretenduar se janë të huaja.
E përditshmja iraniane Sharq ka thënë se ato më vonë janë arrestuar.
Në anën tjetër, e përditshmja Vaghaye Etefaghiyeh ka shkruar në ballinë se gratë siriane, të cilat kanë hyrë në stadium, janë fituese të vërteta të ndeshjes.
“Gratë siriane e kanë fituar lojën”, ka shkruar gazeta.
Ligjvënësja iraniane, Fatemeh Hosseini, i ka shkruar letër ministrit të Sporteve në Iran, duke i kërkuar të sqarojë se çfarë masash ka ndërmarrë për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për t’i lejuar gratë të hyjnë në stadium.
“Për fat të keq, shohim se kusht për gratë që të shohin ngjarje sportive, është të kenë kombësinë e ekipit rival të Iranit”, ka thënë deputetja Hosseini.
Autoritetet iraniane thonë se ndalesa në stadiume është e nevojshme për t’i “mbrojtur” gratë dhe normat islamike.
Ato thonë se atmosfera është e papërshtatshme për gratë – mes tjerash, edhe për shkak të mbizotërimit të gjuhës së vrazhdë në ato ngjarje.
Por, aktivistet e të drejtave të grave thonë se ndalesa është thjesht një nga shembujt e diskriminimit gjinor në shoqërinë iraniane, ku gratë po ashtu duhet t’i përmbahen një kodi të rreptë të veshjes, ndërsa dëshmia e një gruaje në gjykatë ka më pak peshë se e një burri.
Gratë e kanë sfiduar ndonjëherë ndalesën dhe kanë hyrë në stadiume të maskuara si burra.
Në vitet e fundit, një numër i kufizuar i grave iraniane janë lejuar të hyjnë si spektatore në ngjarje të mëdha sportive.
Në ndeshjen e 5 shtatorit midis Sirisë dhe Iranit, e cila ka përfunduar me barazim 2:2, së paku një ligjvënëse, Tayebeh Siavoshi, është lejuar brenda në stadium.
Duke reaguar ndaj kritikave, ajo ka thënë në Twitter se ka bërë kërkesë te zyrtarët që të lejohet të hyjë në stadium.
Përgatiti: Valona Tela