Mungesa e kopshteve për fëmijë në viset rurale,bën që gratë ta kenë të vështirë gjetjen e një pune afatgjatë, duke i bërë ato të jenë të varura nga ndihma e rrethit familjarë, thonë organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave.
Gyner Basha Nebiu, nga organizata “ANTIKO”, që në fokus ka të drejtat e grave, për Radion Evropa e Lirë thotë se shteti duhet të ofrojë zgjidhje sistemore për shumë probleme, me të cilat përballen gratë në vend, veçanërisht viset rurale, duke filluar me investimet nëshërbimet sociale, hapjen e azileve të pleqve, organizimit të jetës së personave në moshë, hapjen e kopshteve për fëmijë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të sigurohen kushte që femra të jetë e barabartë në shoqëri.
Zonja Gyner sqaron se gjatë realizimit të projektit “Përfshirja e grave nga bashkësitë etnike joshumicë në tregun e punës”, të realizuar gjatë 18 muajve të fundit në disa qytete të Maqedonisë, kanë arritur në përfundim se gratë janë të interesuara të gjejnë një vend pune, pavarësisht se ato nuk paraqiten në Entin Shtetërorë për Punësim, duke kërkuar në mënyrë aktive punë, por për to paraqet problem mungesa e përkujdesjes institucionale për fëmijët e tyre.
“Gjatë realizimit të projektit ku gratë përpos që kanë ndjekur trajnime për të mësuar zanate të ndryshme, si dhe gjuhë të huaja, kemi organizuar punëtori të veçanta për fëmijë, ngaqë ato e kanë pasur problem kujdesin e tyre gjatë ndjekjes së trajnimeve të ndryshme. Hapja paralele e punëtorive për fëmijët me punëtoritë për mësimin e shkathtësive të caktuara, bëri që interesimi i grave për të ndjekur trajnimet, të jetë shumë më i madh se herëve të kaluara”.
“Në punëtoritë kreative, angazhuam persona profesionistë, pedagogë dhe psikologë për fëmijët, me një program të përshtatshëm për grupmosha të ndryshme të fëmijëve - kjo risi rriti interesimin e nënave të ndjekin trajnimet e ndryshme. Ne kishim planifikuar që në 5 qytete të ndryshme të përshijmë 250 gra, por nga interesimi i madh, u detyruam që ta rrisim këtë numër në 326 femra”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Aktivistet për të drejtat e grave, si problem për përfshirjen e grave në sistemin e punës, fokusojnë stereotipet mbi baza gjinore, andaj kërkojnë që në politikat shtetërore duhet të përfshihen një varg masash që do të kontribuonin për eliminimin e stereotipave që nga mosha më e hershme.
Gjyla Çeliku nga Këshilli Iniciativa për përfshirjen e grave në politikë, thotë se gratë duhet të ngrenë zërin që t’i detyrojnë strukturat udhëheqëse të shtetit në programet e politikave sociale të inkorporojnë më shumë zgjidhje për problemet e grave, që ato të mund të ushtrojnë profesionin e tyre dhe jo aktivizimin e tyre në politikë ta shohin vetëm si mundësi për punësimin personal.
“Unë, personalisht, i akuzoj dhe forumet e grave, të cilat veprojnë në kuadër të partive politike që ndoshta nga frika ose diktatura ose natyra politike, të cilën e kanë krijuar, nuk e ngrenë zërin për më shumë të drejta, për më shumë realizim të kërkesave që prekin interesat e tyre”, thotë Çeliku, aktiviste për të drejtat e grave.
Në bazë të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në Maqedoni, vetëm 43 për qind e tyre i takojnë gjinisë femërore, e të cilat kryesisht janë të angazhuara në profesione me paga të ulëta, si dhe 19 për qind e të punësuarve që i takojnë gjinisë femërore marrin paga më të ulëta se kolegët e tyre të gjinisë së kundërt pavarësisht se bëjnë punën e njëjtë.
Por, aktivistet për të drejtat e grave thonë se gjendja në terren është shumë më alarmante, ngase pjesa më e madhe e grave fare nuk paraqiten në Entin për Punësim.
“Rreth 67 për qind e gjinisë femërore janë joaktive. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e femrave, edhe pse janë në moshë kur ato mund të punojnë, nuk janë paraqitur në Entin për Punësim dhe nuk llogariten se kërkojnë punë dhe nuk hyjnë në shifrat e përgjithshme të të papunëve. Kjo do të thotë se numri grave të përfshira në sistemin e punës, është shumë më i ulët se ai që kemi zyrtarisht, pak më shumë se 40 për qind”, thekson Basha Nebiu.
Ndryshe, një studim i kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), organi i saj për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, si dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës në Shkup, i publikuar në qershor të këtij viti, ka nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e grave të afta për punë në Maqedoni, nuk janë të angazhuara me punë, por bëjnë punë shtëpie pa pagesë, kujdesen për fëmijët dhe personat e moshuar në familje, pavarësisht se ato, me aftësime profesionale, do të mund të siguronin më shumë të ardhura sesa bashkëshortët.
Qeveria e re e Maqedonisë e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev, së fundmi është angazhuar për realizmin e më shumë projekteve që mundësojnë zhvillimin e politikave për barazi gjinore, politika këto që janë përshëndetur nga organizatat e grave , megjithëse thonë se duhen resurse financiare dhe kadrovike që këto politika të zbatohen edhe në praktikë.