Gratë nga agrobiznesi kërkojnë më shumë mbështetje institucionale
Të enjten në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është hapur Panairi me produkte të grave në agrobiznes nga e gjithë Kosova.
Panairi organizohet nga EcoKosWomen me mbështetjen e Projektit SIRED nga Caritas-i Zviceran, i cili financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADC), Komuna e Prishtinës dhe tetë komuna të tjera, në bashkëpunim me projektin SUNREED nga CNVP, që financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim (SIDA) dhe me sponsor bankën TEB.
Produkte të ekspozuara në panair.
Vizitorët e panairit të produkteve të grave në agrobiznes.
Stoli punëdore të ekspozuara në Panairin e Grave në Agrobiznes.
Një grua duke blerë produkte në panair.
Edhe ushqimet tradicionale prej brumi ishin ndër produktet e prezantuara në panair.
Xhastina Kastrati, nga komuna e Pejës ishte një nga pjesëmarrëset në panair. Ajo tha se puna e saj është vazhdim i biznesit familjar të bletarisë, porse produktet e saj me bazë mjalti janë kryesisht qirinjtë dekorues e produktet kozmetike.
Disa nga produktet e Xhastina Kastratit, të cilat kishte zgjedhur t’i prezantojë në panairin e sivjetmë, duke mos e fshehur shpresën për më shumë panaire për fuqizimin e grave në biznes.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në panair takoi edhe Afërdita Muratin, përfaqësuese e kompanisë ‘O natura berry’, që merret me kultivimin dhe përpunimin e frutave të imëta dhe përpunimin e lëngjeve natyrale të boronicës së malit.
"Çdo panair është i mirëseardhur për cdo biznes, për cdo fermer, për cdo grua…Unë mendoj se pa e fuqizuar një grua, nuk ka as ekonomi, kështu që duhet të na përkrahin sa më shumë”, tha Afërdita Murati.
Në panar pritet të ekspozohen rreth 25 agrobiznese të udhëhequra nga gratë nga e gjithë Kosova.
“Pres që njerëzit t’i provojnë produktet tona, t’i shohin dhe t’i blejnë më shumë. Vitin e kaluar pak kemi pasur përfitim. Nuk ka qenë shumë, por mirë...”, tha Zorica Andrejeviq nga Gushterica, pronare e kompanisë “Jagodica Bobica”, që merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve, sidomos ajvarit.
Panairi do të mbahet përgjatë dy ditëve, të enjten dhe të premten.