Dy persona raportohet se janë vrarë nga granatimet ruse në lindje të Ukrainës më 26 gusht, përderisa Rusia ka raportuar për më shumë sulme me dronë, përfshirë edhe në Moskë.
Dy civilë u vranë pasi një granatë goditi një kafene në fshatin Podoli, në rajonin lindor të Harkivit, tha guvernatori rajonal, Oleh Synehubov.
Podoli ishte pushtuar pak pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar, por ky fshat u rimor nga Kievi gjatë kundërofensivës së zhvilluar shtatorin e vitit 2022.
Forcat ruse gjatë javëve të fundit po tentojnë të lëvizin përpara në vijën e frontit në rajonin e Harkivit. Ushtria ukrainase ka pranuar se luftimet në këtë zonë janë bërë më të vështira, por ka thënë se ende po e mban vijën.
Në Rusi, më 26 gusht është raportuar për një sulm me dron në rajonin e Moskës, që detyroi autoritetet përkohësisht të pezullonin operacionet në tre aeroporte të mëdha në kryeqytetin rus.
SHIKONI EDHE: Mbyllen përkohësisht aeroportet kryesore të Moskës pas një sulmi me dronAutoritetet ruse thanë se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore rrëzuan dronin rreth 50 kilometra në perëndim të Kremlinit.
Ndërkaq, në rajonin Belgorod – që gjendet në kufi me Ukrainën, guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar një dron në afërsi të fshatit Kupino. Nuk është raportuar për dëme apo viktima.
Raportimet e fundit për sulme ajrore në Rusi erdhën një ditë pas disa sulmeve të raportuara në Krimenë e aneksuar nga Moska dhe brenda Rusisë.
Më 25 gusht, Rusia tha se në 24 orët e fundit, sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë neutralizuar 73 dronë mbi Krime.