Guvernatori i rajonit qendror ukrainas të Dnipropetrovskit, tha se 13 civilë janë vrarë në granatimet ruse gjatë natës në Nikopol dhe Maranets. Sipas guvernatorit, 11 persona janë plagosur, pesë prej të cilëve janë në gjendje serioze.
Kreu i administratës shtetërore në rajonin e Dnipropetrovskit, Valentyn Reznichenko, tha se dy viktima, ndonëse u dërguan në spitalin e Maranetsit, vdiqën më vonë nga plagët e marra.
Reznichenko e përshkroi skenën e sulmit në afërsi të lumit Dniepër.
“Kemi pasur një natë të tmerrshme... Njëmbëdhjetë të vdekur... Të gjithë njerëz paqësorë”, tha ai në një postim në Telegram. Më vonë ai njoftoi se numri i viktimave ka arritur në 13.
“Është e vështirë që t'i nxjerrim trupat nga rrënjojat”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Rusët përqendrojnë ofensivën në jug, ukrainasit në verilindjeZona ku ka ndodhur sulmi është rreth 20 kilometra në anën e kundër të lumit Dinepër nga centrali bërthamor i Zaporizhjas. Ky central është marrë nën kontrollin rus që në ditët e para të pushtimit që nisi më 24 shkurt.
Por, granatimet në Maranets kanë qenë më të ashpra, teksa është dëmtuar një ndërtesë banimi 20-katëshe, shkolla, një konvikt dhe një qendër kulturore.
Pas raportimeve për sulme në afërsi të centralit bërthamor të Zaporizhjas ka reaguar edhe grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7).
G7 dënoi pushtimin rus dhe i bëri thirrje Moskës që menjëherë të dorëzojë tek ukrainasit kontrollin e centralit.
Stafi ukrainas që operon me centralin e Zaporizhjas “duhet të jetë në gjendje të kryejë detyrat pa kërcënime dhe presion. Është kontrolli rus i centralit që po vë në rrezik rajonin”, tha ministrat e Jashtëm të G7-s përmes një deklarate të përbashkët për media.
Ministrat theksuan rëndësinë e lejimit të ekspertëve nga Kombet e Bashkuara që të shkojnë në centralin bërthamor dhe të adresojë shqetësimet e sigurisë.
G7 paralajmëroi se veprimet e Rusisë në mënyrë të konsiderueshme rrisin rrezikun e një incidenti bërthamor dhe vënë në rrezik qytetarët e Ukrainës, shtetet fqinje dhe botën.