Një gjykatë ruse urdhëroi të hënën gjigantin e teknologjisë Google që të paguajë dy milionë rubla - apo 28,000 dollarë - për, siç tha, shkelje të rregullave të Rusisë për përmbajtjen e ndaluar.
Në muajt e fundit, gjykatat ruse kanë urdhëruar kompaninë Google të paguajë gjoba prej qindra mijëra dollarësh për, siç është thënë, mosfshirjen e përmbajtjes së ndaluar në motorin e saj të kërkimeve.
Gjykatat kanë gjobitur edhe platformat sociale Facebook, Twitter, WhatsApp, Telegram dhe TikTok për akuza të ngjashme.
Google e konfirmoi gjobën e shqiptuar të hënën, por nuk dha asnjë koment shtesë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka akuzuar platformat e mediave sociale dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë për shpërfillje të ligjeve të internetit në Rusi.
Me këto ligje, mes tjerash, bëhen përpjekje që firmat e huaja të detyrohen të hapin zyra në Rusi dhe të ruajnë të dhënat personale të rusëve në territorin e saj.
Por, shumë kritikë thonë se me këto ligje, autoritetet përpiqen t’i heshtin disidentët.
SHIKONI EDHE: Google gjobitet pse nuk i lokalizoi të dhënat e përdoruesve në Rusi