Gjyshja e Nahel M, 17-vjeçarit që u vra nga një polic gjatë një ndalesë trafiku më 27 qershor, ka bërë thirrje për përfundimin e trazirave në mbarë Francën që u nxitën nga vrasja e nipit të saj.
“Nuk duam që ata [protestuesit] të shkatërrojnë dyqane, autobusë dhe shkolla”, tha Nadia në një intervistë të dhënë për BFM TV.
“Ata po e përdorin Nahelin si justifikim. Ne duam që gjërat të qetësohen”, shtoi ajo.
Ajo tha se beson se zyrtari policor përgjegjës për vrasjen e nipit të saj do të ndëshkohet, ndërsa tha se “zemra po më dhemb” kur u pyet për paratë që i janë dhuruar zyrtarit policor pas vrasjes së Nahelit.
“Jam e lodhur. Ka marrë fund, fëmija im nuk ka më jetë. Mos i shkatërroni shkollat, mos i shkatërroni autobusët. Ka shumë nëna që i përdorin ata autobusë”, tha ajo.
Rreth 2.800 njerëz janë arrestuar gjithsej që nga vdekja e Nahelit më 27 qershor. Dislokimi masiv i policisë është mirëpritur nga disa banorë të frikësuar të lagjeve të shënjestruara dhe pronarë dyqanesh, dyqanet e të cilëve janë plaçkitur. Por, ky veprim ka zemëruar më tej ata që e shohin sjelljen e policisë si shkakun e krizës aktuale në Francë.
SHIKONI EDHE: Vazhdojnë trazirat në Francë, sulmohet shtëpia e një kryetari komuneQindra policë dhe zjarrfikës francezë kanë mbetur të plagosur nga trazirat që shpërthyen pas vrasjes së Nahelit, megjithëse autoritetet nuk kanë publikuar shifrat për të plagosurit në mesin e protestuesve. Në Guajanën franceze, një 54-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një plumb qorr.
Në natën e pestë të trazirave të shkaktuara nga vrasja e Nahelit, policia njoftoi se janë arrestuar 719 persona – në krahasim me 1311 arrestime një natë më parë – në mbarë Francën.
Protestuesit hodhën breshëri fishekzjarrësh dhe ndezën zjarre si barrikada, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe shok-bomba.
Një makinë e djegur goditi shtëpinë e kryetarit të periferisë së Parisit, l'Hay-les-Roses, gjatë natës. Disa shkolla, stacione policie dhe dyqane janë djegur dhe vandalizuar gjatë ditëve të fundit, por një sulm i tillë personal në shtëpinë e një kryetari komune është i pazakontë.
SHIKONI EDHE: Macron shtyn vizitën në Gjermani shkaku i trazirave në FrancëKëtë javë, nëna e Nahelit i tha televizionit France 5 se ishte e zemëruar me oficerin që qëlloi djalin e saj në një ndalesë trafiku, por jo me policinë në përgjithësi.
“Ai pa një fëmijë të vogël me pamje arabe. Ai donte t'ia merrte jetën”, tha ajo. Familja e Nahelit ka prejardhje nga Algjeria.
Një video, ku shihet momenti i vrasjes së tij, shfaq dy oficerë në dritaren e makinës, njëri me armën drejtuar shoferit. Kur adoleshenti lëvizi përpara, oficeri qëlloi një herë përmes xhamit të përparmë. Oficerit të akuzuar për vrasjen e Nahelit iu ngrit një akuzë preliminare për vrasje të qëllimshme.