Gjyqi kundër gazetarit Gershkovich nis më 26 qershor me dyer të mbyllura

Gazetari amerikan, Evan Gershkovich.

Gjyqi ndaj gazetarit të burgosur amerikan, Evan Gershkovich, do të nisë më 26 qershor dhe do të mbahet me dyer të mbyllura, kanë bërë të ditur autoritetet ruse më 17 qershor.

Javën e kaluar prokurorët kanë thënë se gjyqi ndaj Gershkovichit, nën akuzat për spiunim, do të mbahet në një gjykatë në Jekaterinburg.

Ai është arrestuar në po atë qytet në mars të vitit 2023, përgjatë një udhëtimi pune.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar asnjë dëshmi për t’i bazuar akuzat për spiunim, të cilat e përditshmja amerikane Wall Street Journal – për të cilën ka punuar gazetari – dhe Qeveria amerikane, i hedhin poshtë vazhdimisht.

Të dyja institucionet kanë deklaruar disa herë që Gershkovich, 32-vjeçar, ka qenë duke e bërë punën e tij kur është arrestuar.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë në dhjetor që Moska e refuzuar ofertën e bërë për të liruar Gershkovichin dhe amerikanin tjetër të burgosur në Rusi nën akuzat për spiunim, Paul, Whelan.

SHIKONI EDHE: Kush është Evan Gershkovich dhe për çka e akuzon atë Rusia?

Një tjetër shtetase amerikane që aktualisht po mbahen prej autoriteteve ruse është edhe Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë.

Ajo është arrestuar në Kazan të Tatarstanit në tetor të vitit 2023 dhe akuzohet se ka dështuar të regjistrohet si “agjente e huaj”, si dhe për shpërndarje të të pavërtetave për ushtrinë ruse.

Nëse dënohet, ajo përballet me 10 vjet burgim.

Autoritetet amerikane kanë thënë se Kurmasheva është arrestuar në shenjë hakmarrjeje për punën që ka bërë.

Shumë analistë besojnë se Rusia është duke shënjestruar shtetasit amerikanë për t’i shfrytëzuar për këmbim të të burgosurve dhe për qëllime tjera gjeopolitike.

Rusia besohet se po kërkon lirimin e Vadim Krasikovit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani më 2021, për vrasjen e Zelimkhan "Tornike" Khangoshvilit, shtetasit të Gjeorgjisë, me prejardhje çeçene, për luftim të trupave ushtarake ruse në Çeçeni.

Ai më vonë ka kërkuar azil në Gjermani.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin është pyetur në shkurt për mundësinë e lirimit të Gershkovichit, ai duket se i është referuar Krasikovit, teksa e ka përmendur një burrë të burgosur nga një vend aleat i SHBA-së, pse e ka “likuiduar një bandit”, i cili dyshohet se ka vrarë ushtarë rusë gjatë luftimeve në Çeçeni.