Mbrojtja: Thaçi u angazhua për ndalimin e dhunës

Your browser doesn’t support HTML5

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të gjykimit, në fjalën hyrëse ka prezantuar një sërë deklaratash dhe video-incizimesh të vitit 1999, ku ai shihet duke bërë thirrje për ndaljen e dhunës dhe për bashkëjetesë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Avokati i ish-presidentit Thaçi, Lluka Mishetiq, tha se përmes këtyre provave dëshmohet qartë se Hashim Thaçi është munduar në vazhdimësi t’i ndalojë veprimet kriminale ku, sipas tij, shpeshherë ai ka bërë të ditur se këto veprime ishin kryer nga individë dhe grupe që keqpërdornin emrin dhe simbolet e UÇK-së. Gjykimi i ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së ka filluar më 3 prill dhe ditën e parë të gjykimit, prokuroria ka prezantuar provat fajësuese në rastet ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.