Gjykata Supreme e Tatarstanit refuzon ankesën e gazetares së burgosur të REL-it

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva gjatë një seance gjyqësore në Kazan, më 31 maj.

Gjykata Supreme e Republikës ruse të Tatarstanit refuzoi ankesën e gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit të saj.

Gjykatësja Rizvan Yusupov, la në fuqi më 18 qershor vendimin e muajit të kaluar nga gjykata sovjetike e qarkut në kryeqytetin e Tatarstanit, Kazan, për të zgjatur paraburgimin e saj deri të paktën më 5 gusht.

Kurmasheva, një gazetare e Radios Evropa e Lirë me seli në Pragë, e cila ka nënshtetësi të dyfishtë - amerikane dhe ruse, është mbajtur në paraburgim rus që nga 18 tetori i vitit 2023, me akuzën e shkeljes së të ashtuquajturit ligj për "agjentët e huaj" dhe shpërndarjes së informacionit të rremë rreth ushtrisë ruse.

Një akuzë e tillë mund të çojë në një dënim me 10 vjet burgim.

Ajo, punëdhënësit dhe mbështetësit e saj i hedhin poshtë akuzat.

Në seancën e fundit më 31 maj, Kurmasheva tha se shëndeti i saj është përkeqësuar dhe se ka nevojë për operacion.

Ajo gjithashtu tha se hera e fundit që dëgjoi zërat e dy vajzave të saj ishte në tetor 2023.

Your browser doesn’t support HTML5

Gazetarja amerikane e burgosur në Rusi: Herët a vonë do të dal si e pafajshme

Kurmasheva, e cila ka punuar për Shërbimin Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë për rreth 25 vjet, u largua nga kryeqyteti çek në mes të majit 2023, për shkak të një emergjence familjare në vendlindjen e saj, Tatarstan.

Ajo u ndalua për pak kohë teksa priste fluturimin e saj të kthimit, më 2 qershor 2023, në aeroportin e Kazanit, ku iu konfiskuan të dy pasaportat dhe telefoni.

Në pamundësi për t'u larguar nga Rusia pa dokumentet e saj të udhëtimit, Kurmasheva u arrestua përsëri në tetor dhe këtë herë u akuzua për mosregjistrim si "agjente e huaj".

Dy muaj më vonë, ajo u akuzua për përhapje të informacionit të rremë për ushtrinë ruse.

Qeveria amerikane dhe Radio Evropa e Lirë thonë se akuzat janë ndëshkim për punën e Kurmashevës si gazetare e REL-it.

Më 17 qershor, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller përsëriti deklaratat e mëparshme të zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë ato të presidentit Joe Biden, që i bënin thirrje Rusisë të lironte menjëherë Kurmashevën.

Megjithatë, ai nuk tregoi se pse Uashingtoni ende nuk e ka caktuar Kurmashevën si "të arrestuar gabimisht", një përcaktim që do të rriste profilin e çështjes kundër Kurmashevës, duke e etiketuar atë si të motivuar politikisht.

SHIKONI EDHE: Gjyqi kundër gazetarit Gershkovich nis më 26 qershor me dyer të mbyllura

Dy shtetas të tjerë amerikanë të mbajtur nga Rusia, reporteri i Wall Street Journal, Evan Gershkovich dhe një tjetër amerikan, Paul Whelan, janë caktuar si të arrestuar gabimisht.

"Ne besojmë se ajo duhet të lirohet", tha Miller kur u pyet për njohjen e Kurmashevës si "të arrestuar gabimisht".

"Nuk mund të flas për një përcaktim zyrtar në këtë moment. Por ne kemi qenë mjaft të qartë për statusin e çështjes së saj dhe çfarë mendojmë për të".

Miller shprehu gjithashtu shqetësim për vendimin e Rusisë për të gjykuar Gershkovich si të dyshuar për spiunazh në një gjyq të mbyllur, duke theksuar se përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-së do të bëjnë përpjekje ende që të marrin pjesë në seancën gjyqësore të planifikuar për në fund të këtij muaji.

Miller tha se pjesëmarrja ishte një "prioritet i lartë për ne", por se "në fund do të përpiqemi ta sjellim [Gershkovich] në shtëpi dhe do të përpiqemi të sjellim Paul Whelan në shtëpi, dhe ky vazhdon të jetë qëllimi ynë kryesor”.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar asnjë provë për të mbështetur akuzat për spiunazh kundër 32-vjeçarit Gershkovich, të cilat The Wall Street Journal dhe qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë.

Ai mund të përballet me 20 vjet burgim nëse shpallet fajtor.

Zyrtarët rusë thanë këtë javë se gjyqi i Gershkovich do të zhvillohej me dyer të mbyllura duke filluar nga 26 qershori.

Ai u arrestua gjatë një udhëtimi raportues, në mars 2023.

SHIKONI EDHE: Arrestimet e amerikanëve rrisin frikën se Rusia mund të marrë pengje të reja

"Ne do të përpiqemi të marrim pjesë në gjyq, siç përpiqemi të marrim pjesë në gjyqin e çdo shtetasi amerikan që është i ndaluar në Rusi. Por në fund të fundit, unë nuk kam ende një përgjigje për ju nëse kjo do të jetë e mundur", tha Miller.

"Akuzat kundër tij janë krejtësisht false siç e kemi bërë të qartë dhe ne besojmë se qeveria ruse e di se ato janë plotësisht false. Thënë kështu, ne do të vazhdojmë të përpiqemi ta kthejmë atë në shtëpi", shtoi ai.

Shumë analistë besojnë se Rusia është duke shënjestruar shtetasit amerikanë për t’i shfrytëzuar për këmbim të të burgosurve dhe për qëllime tjera gjeopolitike.

Rusia besohet se po kërkon lirimin e Vadim Krasikovit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani më 2021, për vrasjen e Zelimkhan "Tornike" Khangoshvilit, shtetasit të Gjeorgjisë, me prejardhje çeçene, për luftim të trupave ushtarake ruse në Çeçeni.

Ai më vonë ka kërkuar azil në Gjermani.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin është pyetur në shkurt për mundësinë e lirimit të Gershkovichit, ai duket se i është referuar Krasikovit, teksa e ka përmendur një burrë të burgosur nga një vend aleat i SHBA-së, pse e ka “likuiduar një bandit”, i cili dyshohet se ka vrarë ushtarë rusë gjatë luftimeve në Çeçeni.