Një gjykatë suedeze ka dënuar me burgim të përjetshëm një ish-zyrtar burgu iranian për krimet e kryera gjatë një spastrimi të disidentëve në Iran në vitin 1988.
Hamid Nouri, 61 vjeç u dënua për "krim të rëndë kundër ligjit ndërkombëtar" dhe "vrasje", bëri të ditur gjykata e qarkut të Stokholmit në një deklaratë më 14 korrik.
Në Suedi, një dënim i përjetshëm në përgjithësi nënkupton një minimum prej 20 deri në 25 vjet burg, por dënimi mund të zgjatet.
Nouri do të dëbohej nga Suedia nëse do lirohej ndonjëherë nga burgu.
Gjykata tha se Nouri mori pjesë "në ekzekutimet e shumë të burgosurve politikë në Iran në verën e vitit 1988" dhe kishte "rolin e ndihmësit të zëvendës prokurorit" në burgun Gohardasht në Karaj, Iran, "së bashku dhe në bashkëpunim me të tjerët ishte i përfshirë në ekzekutime”.
“Nga hetimet rezultoi se të akuzuarit bashkërisht dhe në bashkëpunim me të tjerët kanë marrë pjesë në kryerjen e veprave penale”, tha gjykata. “Me pseudonim dhe në rolin e ndihmësit të zv.prokurorit, [Noury] përzgjodhii të burgosurit, i solli në komision dhe i shoqëroi në vendin e ekzekutimit”.
SHIKONI EDHE: Refuzon propozimin iranian, aktivisti thotë se kurrë s'do të kërkojë faljeProcedimi gjyqësor, i cili vazhdon që nga gushti 2021, ka tensionuar marrëdhëniet midis Suedisë dhe Iranit, duke ngritur shqetësime për hakmarrjet ndaj të burgosurve perëndimorë të mbajtur nga Republika Islamike e Iranit. Dy shtetas suedezo-iranianë janë në fakt të dënuar me vdekje.
Gjatë nëntë muajve të seancave, Noury hodhi poshtë dëshminë e ish-të burgosurve, duke pretenduar se ka qenë me leje gjatë periudhës në fjalë dhe duke pretenduar se ka punuar në një burg tjetër. Noury i cilësoi akuzat si një komplot nga grupi opozitar Muxhahedin (MEK) për të diskredituar regjimin në Teheran.