Specialja liron nga burgu Hysni Gucatin

Hysni Gucati para Dhomave të Specializuara në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Dhomat e Specializuara në Hagë njoftuan se kanë modifikuar dënimin ndaj ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.

Në maj të vitit 2022, Gucati së bashku me zëvendësin e tij në OVL-UÇK u dënuan mekatër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë. Më pas Apeli ua ulin dënimet për tre muaj.

Që të dy u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që atëherë gjendeshin në mbajtje në Hagë.

Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, konstatoi se Gucati kishte reflektuar për veprimet e tij gjatë qëndrimit në objektin e paraburgimit në Hagë dhe “sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës”.

“Trendafilova vuri në dukje zotimin e vendosur të Gucatit se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, u tha në njoftim.

SHIKONI EDHE: Apeli ul dënimet për Gucatin e Haradinajn për tre muaj

Dhomat e Specializuara thanë se nëse Gucati nuk përmbush cilindo prej këtyre kushteve, atëherë vendimi do të anulohet.

Po ashtu, Specialja njoftoi se po e shqyrton mundësinë që të modifikojë dënimin e Nasim Haradinajt dhe ta lirojë atë sikurse Gucatin.

“Sidoqoftë, Trendafilova theksoi se Haradinaj ka precedentë disiplinorë në njësinë e paraburgimit dhe megjithëse ai ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për rehabilitim”, u tha në njoftim.

Kryetarja e Speciales ka kërkuar nga administrata e këtij institucioni që brenda një periudhe të paspecifikuar kohore t’i dërgojë një raport për sjelljen e Haradinajt, nga i cili do të varet edhe mundësia e lirimit të tij.

SHIKONI EDHE: Gucati dhe Haradinaj dënohen me nga katër vjet e gjysmë burgim

Në aktakuzën ndaj Gucatit dhe Haradinajt, Dhomat e Specializuara kishte thënë se në tri konferenca për media në Prishtinë, ata kishin shpërndarë dokumente të klasifikuara të këtij institucioni, që njihet edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë është thënë se në këto dokumente ka pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.