Nënshkrimet e ‘pavlefshme’ të deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Specialen

Kuvendi i Kosovës, 7 shtator 2017

Mesazhet e ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë rreth nismës së një grupi të deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, deri më tash nuk kanë ndikuar në zmbrapsjen e tyre, thonë analistët e çështjeve politike.

Por, tërhiqet edhe vërejtja se nënshkrimet e deputetëve, të cilët kanë iniciuar kërkesën për shfuqizimin e ligjit, nuk janë më valide.

Në asketin procedural, njohësi i zhvillimeve parlamentare, Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimet e deputetëve nuk janë më të vlefshme.

“Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës parasheh që çdo mocion përmbajtjesor, i cili vjen prej gjashtë a më shumë deputetëve, duhet të shqyrtohet brenda 3 javëve dhe tani ka kaluar ky afat dhe ato nënshkrime më nuk janë të vlefshme për të thirrur ndonjë seancë të re. Pra, nuk mund të thirret seancë duke u thirrur në nënshkrimet e dhëna më 22 dhjetor”, thotë Krasniqi.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht Gjykatën Speciale, ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka paralajmëruar se të gjithë ata deputetë dhe politikanë që qëndrojnë prapa nismës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale mund të përballen me pasoja të ashpra.

Ai ka ri-përsëritur se shfuqizimi i ligjit, po kërkohet për interesa individuale dhe në dëm të interesave të shtetit të Kosovës, të ardhmes së saj dhe në dëm të raporteve me aleatët ndërkombëtarë.

Mesazhe të ngjashme kanë dhënë edhe ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë.

Politologu, Ramush Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se pavarësisht këtyre deklaratave që janë bërë nga komuniteti ndërkombëtar, duket se deputetët nuk dëshirojnë të heqin dorë nga iniciativa e tyre.

Pavarësisht nëse janë apo nuk janë valide nënshkrimet e mbledhura, të njëjtit deputetë besohet se mund të nënshkruajnë sërish kërkesën, nëse nuk tërhiqet vetë nisma për shfuqizim.

“Duket që deputetët nuk do të heqin dorë dhe nuk dëshirojnë të heqin dorë, sepse i kanë plotësuar kushtet formale juridike që me më shumë se 40 deputetë të procedojnë një çështje në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit dhe derisa ekzistojnë 40 nënshkrime, Kryesia është e obliguar ta procedojë dhe seanca plenare është e obliguar që me anë të votimit të deklarohet”, thotë Tahiri.

Duke u ndërlidhur me tonet e ashpra ndërkombëtare që pasojnë nismën e deputetëve, Albert Krasniqi, në anën tjetër thotë se deri më tani, nuk janë dëgjuar këso lloj tone e kritika në adresë të lidershipit të Kosovës, nga ana e shteteve aleate.

“Do të duhet që deputetët përfundimisht të heqin dorë prej kësaj iniciative dhe të gjithë ata që qëndrojnë parapa kësaj iniciative të bëjnë një distancim të qartë nga secila përpjekje për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, për shkak se kjo praktikisht është e pamundur dhe të mos fshihen prapa formave tjera që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, ngritjen e tensioneve dhe konflikteve të brendshme, sepse pasojat do të jenë afatgjatë dhe pastaj do të duhet kohë e gjatë për t’u rikuperuar prej dëmeve potenciale që mund të shkaktohen në këtë proces”, thotë Krasniqi.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës pati ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pasoi një peticion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkonin nga Kuvendi i Kosovës ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.