Një gjykatë në qytetin rus, Kazan, ia ka zgjatur për dy muaj paraburgimin Alsu Kurmashevës, gazetares veterane në Shërbimin Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë (REL), e cila është duke u mbajtur në paraburgim në Rusi prej 18 tetorit.
Kurmasheva, gazetare në selinë qendrore të REL-it në Pragë të Republikës Çeke, ka dyshtetësi, amerikane dhe ruse. Ajo kishte udhëtuar për në Rusi në maj për shkak të një emergjence familjare.
Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dyja pasaportat. Prej atëherë, ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.
Më 11 tetor, autoritetet e gjobitën Kurmashevën me 103 dollarë për dështim të regjistrimit të pasaportës së saj amerikane tek autoritetet ruse, sipas raportimeve të mediave lokale bazuar në dokumentet e gjykatës që i kanë parë.
Kurmasheva u arrestua sërish më 18 tetor nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj. Sipas ligjeve ruse, për një akuzë të tillë ajo mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.
SHIKONI EDHE: 'Kështu kalojnë ditët e mia': Gazetarja e REL-it Alsu Kurmasheva shkruan nga burguKomisioni Hetues tha se Kurmasheva akuzohet në bazë të një paragrafi të Kodit Penal, i cili i referohet regjistrimit të “agjenteve të huaj” të cilët bëjnë “grumbullimin e qëllimshëm të të dhënave në fushën e ushtrisë dhe aktiviteteve teknike ushtarake të Rusisë”, të cilat, nëse pranohen nga burimet e huaja “mund të përdoren kundër sigurisë së vendit”.
Komisioni nuk dha hollësi të tjera.
“Alsu i ka kaluar 45 ditë prapa grilave në Rusi dhe, sot, paraburgimi i saj i padrejtë dhe i motivuar politikisht, është zgjatur”, tha presidenti në detyrë i REL-it, Jeffrey Gedmin. “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që t’i lejojë asaj qasje konsullore, e cila është e drejta e saj si qytetare amerikane. Alsu duhet të lirohet dhe të ribashkohet me familjen e vet”.
Komisioni Hetues tha se hetimi i tij ka gjetur se, derisa Ministria e Drejtësisë e Rusisë nuk e shtoi atë në listën e “agjentëve të huaj”, ajo dështoi të ofrojë dokumente për t’u përfshirë në regjistër.
Kurmasheva dhe REL-i i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Paraburgosja e Kurmashevës në Rusi, e cila është anëtarja e dytë e mediave amerikane që mbahet nga Moska këtë vit, nxiti një valë kritikash nga grupet për të drejtat e njeriut dhe politikanët, të cilët thanë se kjo tregon për një shkallë të re të censurës në kohë lufte.
Vendimi i gjykatës për t’ia vazhduar Kurmashevës paraburgimin vjen një ditë pasi grupi i rëndësishëm rus për të drejtat e njeriut, Memorial, e njohu Kurmashevën si të burgosur politike.
Moska është akuzuar se po i ndalon gazetarët amerikanë për t’i përdorur për këmbimin e tyre me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara. Gazetari i Wall Stree Journal, Evan Gershkovich, u arrestua në mars për gjoja spiunim – një akuzë të cilën ai dhe gazeta e mohojnë plotësisht.
Kurmasheva është një nga katër gazetarët e Radios Evropa e Lirë - Andrey Kuznechyk, Ihar Losik dhe Vladyslav Yesypenko janë tre të tjerët - që aktualisht janë të burgosur për akuza që lidhen me punën e tyre.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe Radio Evropa e Lirë kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e të katër gazetarëve, duke thënë se ata janë arrestuar padrejtësisht.
Losik është një bloger dhe kontribuues për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë, i cili u dënua në dhjetor të vitit 2021 për disa akuza, përfshirë "organizimin dhe përgatitjen e veprimeve që cenojnë rëndë rendin publik". Ai u dënua me 15 vjet burgim.
Kuznechyk, një redaktor në internet për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë, u dënua në qershor të vitit 2022 me gjashtë vjet burgim pas një gjyqi që zgjati jo më shumë se disa orë. Ai u dënua për “krijim ose pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste”.
Yesypenko, me shtetësi të dyfishtë, ukrainase dhe ruse, kontribues në Realitetet e Krimesë - media rajonale e Shërbimit Ukrainas të REL-it - u dënua në shkurt të vitit 2022 me gjashtë vjet burgim nga një gjykatës rus në Krimenë e pushtuar, pas një gjyqi me dyer të mbyllura. Ai u dënua për "posedim dhe transport të lëndëve plasëse", një akuzë që ai e mohon me vendosmëri.