Gjykata ruse ia vazhdon paraburgimin gazetarit Evan Gershkovich

Gazetari amerikan Evan Gershkovich fotografohet në një gjykatë në Moskë, 26 mars 2024.

Një gjykatë në Moskë ia ka vazhduar të martën masën e paraburgimit gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili është duke u mbajtur në Rusi që gati një vjet nën akuzat për spiunazh.

Gjykata e qytetit të Moskës e mori vendimin të martën gjatë një seance me dyer të mbyllura, për shkak të, siç tha, pranisë se dokumenteve të klasifikuara.

Ai do të mbahet në paraburgim së paku deri më 30 qershor, sipas vendimit.

SHIKONI EDHE: Gazetarët notojnë për të shënuar njëvjetorin e burgosjes së Evan Gershkovichit

Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke thënë se Gershkovich thjesht po e kryente punën e tij si gazetar i akredituar kur u arrestua në qytetin e Jekaterinburgut.

“Ky vendim për t’ia zgjatur edhe më shumë paraburgimin Evanit është i dhimbshëm, sepse këtë javë bëhen një vjet prej se ai u arrestua dhe u ndalua gabimisht në Jekaterinburg, thjesht se po e bënte punën e tij si gazetar”, tha ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy.

Gershkovich është njëri nga dy gazetarët amerikanë që po mbahen tani nga autoritetet ruse.

SHIKONI EDHE: Gjykata ia refuzon kërkesën për arrest shtëpiak gazetares së REL-it, Kurmasheva

Alsu Kurmasheva, një gazetare e Radios Evropa e Lirë e cila ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe ruse, u arrestua në Kazan në tetorin e kaluar dhe akuzohet se nuk është regjistruar si agjente e huaj në përputhje me ligjin ndëshkues cak i të cilit janë gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerët.

Ajo akuzohet gjithashtu edhe për përhapjen e informatave të rrejshme për ushtrinë ruse dhe mund të dënohet me 10 burgim, nëse shpallet fajtore.

Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane thonë se akuzat kundër saj janë hakmarrje kundër punës së saj.