Gjykata Supreme e Republikës ruse të Tatarstanit ia ka hedhur poshtë ankesën gazetares së Radios Evropa e Lirë (REL), Alsu Kurmasheva, kundër paraburgimit paragjyqësor nën akuzat se kishte dështuar të regjistrohej si agjente e huaj, të cilat ajo i mohon.
Seanca dëgjimore u mbajt më 31 tetor mbrapa dyerve të mbyllura, ndërsa Kurmasheva mori pjesë përmes një video-lidhjeje nga një qendër e paraburgimit në kryeqytetin e Tatarstanit, Kazan.
Avokati i Kurmashevës kërkoi masa tjera kufizuese paragjyqësore për klienten e tij, në vend të mbajtjes në paraburgim.
Para një jave, Gjykata e Qarkut e Kazanit mori vendim për ta futur në paraburgim Kurmashevën së paku deri më 5 dhjetor.
SHIKONI EDHE: Rusia zgjat paraburgimin për gazetaren e REL-itKurmasheva punon në selinë qendrore të REL-it në Pragë të Republikës Çeke në Shërbimin Tatar-Bashkir. Ajo ka dyshtetësi, amerikane dhe ruse. Ajo kishte udhëtuar për në Rusi në maj për shkak të një emergjence familjare.
Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dy pasaportat. Prej atëherë, ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.
Më 11 tetor, autoritetet e gjobitën Kurmashevën me 103 dollarë për dështim të regjistrimit të pasaportës së saj amerikane tek autoritetet ruse.
Kurmasheva u arrestua sërish më 18 tetor nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj. Sipas ligjeve ruse, për një akuzë të tillë ajo mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.
Komiteti Hetues tha se Kurmasheva dyshohet se a dështuar “të përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni i Federatës Ruse që të dorëzojë tek autoritetet dokumentet e nevojshme për përfshirjen në regjistrin e agjentëve të huaj”.
Kremlini ka mohuar se Moska po kryen fushatë për të ndjekur qytetarët amerikanë, por nuk ka komentuar më shumë lidhur me arrestimin e Kurmashevës.
Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane që arrestohet në Rusi gjatë këtij viti, gjë që ka nxitur valë të kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut dhe politikanët.
SHIKONI EDHE: REL dhe CPJ kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gazetares së arrestuar në RusiRusia është akuzuar se i përdor amerikanët e arrestuar për t’i këmbyer me rusët e burgosur në Shtetet e Bashkuara.
Në mars të këtij viti, gazetari i Wall Street Journal, Evan Greshkovich, u arrestua nën dyshimet për spiunazh. Ai dhe gazeta ku punon kanë mohuar akuzat.
Që nga viti 2012, Rusia ka përdorur ato që quhen ligje për agjentë të huaj për të ndëshkuar kritikët e politikave qeveritare. Po ashtu, Moska ka shpeshtuar përdorimin e këtyre legjislacioneve për të mbyllur organizata të shoqërisë civile dhe media që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe kreu i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Kurmashevës.