Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, e kritikoi të hënën Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit për ndryshimet në Ligjin për tatimin në pronë, i cili parashihte faljen e tatimit deri në 100 euro për qytetarët.
Më 4 shtator, Kushtetuesja e pranoi kërkesën e parashtruar nga Komuna e Prizrenit, duke vendosur masë të përkohshme deri në nëntor të vitit 2023 për nenin 5 të ligjit, derisa të merret një vendim përfundimtar.
Murati e cilësoi vendimin e Kushtetueses si “masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, në një shkrim në llogarinë e vet në Facebook të hënën pasdite.
“Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave...Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”, shkroi Murati.
Neni 5, veç tjerash, parashihte që çdo tatimpagues të kualifikohej për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurosh.
Kushtetuesja argumentoi se vendimi u mor bazuar në kompetencat vetanake të komunave, ku përfshihen edhe e drejta për mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe shpenzimin e këtyre të hyrave sipas vendimit të vetë autoriteteve lokale.
“Për më tepër, vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të ligjit të kontestuar, përkatësisht pezullimi i efekteve të tij deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës, mundëson evitimin e cenimit të përgjegjësive komunale dhe zvogëlimit të të hyrave përkatëse komunale, në rast që Gjykata përmes vendimmarrjes përfundimtare konstaton që neni i lartcekur nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
SHIKONI EDHE: Kryetari i Prizrenit e çon në Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronëLigji për tatimin në pronë hyri në fuqi më 14 gusht.
Më herët gjatë këtij viti, kreu i Ministrisë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatim-paguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Por, vendimi për faljen e tatimit në pronë pasoi rritjen e këtij tatimi në vitin 2023. Rritja u shkaktua pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve të banuara që bëri Ministria e Financave vitin e kaluar.