Një gjykatë në Romë ka refuzuar urdhrat për mbajtjen e një grupi të migrantëve në qendrën e pritjes në Shqipëri dhe tha se ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali.
Ky vendim paraqet një goditje për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar azilkërkuesit jashtë Italisë.
Gjatë kësaj jave, 16 migrantë që u shpëtuan në Mesdhe dhe u dërguan në Shqipëri përmes një anijeje të marinës italiane, u bënë grupi i parë i njerëzve që u strehuan në qendrën e re në Gjadër, pasi u procesuan në portin e Shëngjinit.
Katër nga ta veçse janë kthyer në Itali për shkaqe shëndetësore apo për shkak se ishin të mitur.
“Refuzimi për të vërtetuar mbajtjen në strukturat dhe zonat shqiptare... ndodh për shkak të pamundësisë për të njohur shtetin e origjinës të personave të ndaluar si shtet të sigurt”, tha kryetarja e gjykatës Luciana Sangiovanni përmes një deklarate, duke shtuar se migrantët “kanë të drejtë të sillen në Itali”.
SHIKONI EDHE:
Kthehen në Itali katër migrantë që u strehuan në ShqipëriShqipëria pranon nga Italia grupin e parë të migrantëveKy vendim vlen për 12 migrantët që gjenden në Shqipëri.
Në Shqipëri mund të dërgohen vetëm migtantët nga një listë prej 22 shtetesh që Italia i ka cilësuar si shtete të sigurta. Egjipti dhe Bangladeshi janë në mesin e këtyre shteteve, por një vendim i fundit për këtë çështje i marrë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë e bën të pamundur që ata të mbahen në Shqipëri, tha gjykata e Romës përmes një njoftimi.
Pas vendimit të gjykatës, ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, tha se do ta apelojnë atë.
“Ne do të lëvizim përpara me objektivin që të afirmojmë qëndrimin tonë përmes kanaleve të rëndësishme institucionale, përmes mekanizmit gjyqësor”, tha ai për gazetarët.
Vendimi i gjykatës së Romës është kritikuar edhe nga partia e Melonit, Vëllezërit e Italisë.
“Disa gjykatës të politizuar kanë vendosur që nuk ka shtete të sigurta të origjinës”, shkroi kjo parti në X.
“Ata duan të zhbëjnë kufijtë e Italisë dhe ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha ky subjekt politik.
Your browser doesn’t support HTML5
Grupi i bamirësisë, Sea Watch, e mirëpriti vendimin e gjykatës, duke thënë se me vendimin për dërgimin e migrantëve në Shqipëri, Meloni ka shkelur ligjin e Italisë dhe atë ndërkombëtar.
Shqipëria dhe Italia nëntorin e vitit të kaluar kanë arritur marrëveshje për strehimin e migrantëve. Marrëveshja, që është kritikuar nga organizatatat për të drejtat e njeriut, parasheh që Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre migrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri.
Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.
Sipas marrëveshjes, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.
SHIKONI EDHE: OJQ-të ndezin alarmin për qendrat e migrantëve në ShqipëriQendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të migrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shpërbëjë për strehim të migrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.
Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.
Italia ka thënë se do të pranojë t’i strehojë migrantët që fitojnë azil. Ndërkaq, ata që nuk fitojnë azil do të dëbohen direkt nga Shqipëria.