Gjykata e Apelit i jep të drejtë Sali Berishës ta udhëheqë Partinë Demokratike

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Gjykata e Apelit në Shqipëri ka vendosur të martën që logoja dhe vula e Partisë Demokratike (PD) t’i përkasin grupimit më të madh brenda kësaj partie, që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi e rrëzoi ankesën e grupit tjetër të udhëhequr nga Lulzim Basha.

Ky vendim i ka dhënë fund përplasjes mes grupimeve të Berishës dhe të Bashës brenda PD-së për atë se kush ka të drejtë ta përfaqësojë zyrtarisht partinë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Tre anëtarët e trupës gjyqësore kanë votuar unanimisht për ta rrëzuar ankesën e grupit të Bashës kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila më 2022 ia dha drejtimin e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe legjitimoi strukturat e zgjedhura prej tij.

Berisha, i cili po mbahet në arrest shtëpiak, reagoi në rrjetet sociale duke e cilësuar vendimin si “fitore për demokracinë”.

SHIKONI EDHE: Kthehet në Apel çështja e vulës dhe e logos së PD-së

“Këtij vendimi historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet. Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar. I vetmi i humbur sot është Edi Rama”, theksoi Berisha.

Berisha është duke u hetuar për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë.

Ndërkaq, Lulzim Basha mblodhi strukturat e grupimit që drejton për të diskutuar për këtë cështje.

"Nuk komentoj vendimin e gjykatës. Hapat do t'i diskutojmë me kolegët. Do të jem në përputhje me angazhimi për ata qindra demokratë dhe synimi është largimi i Qeverisë", tha Basha para nisjes së mbledhjes.

Situata e paqartë dhe përplasjet brenda PD filluan pas shtatorit të vitit 2021, kur Lulzim Basha, si kryetar i PD-së, përjashtoi nga grupi parlamentar Sali Berishën, pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën “persona të padëshirueshëm” ish-kryeministrin në maj të atij viti.

Prej atëherë, Berisha mblodhi deputetët, drejtuesit e partisë në qarqe si dhe anëtarët e PD dhe zgjodhi struktura paralele në këtë parti, krahas atyre që ekzistonin e që ishin zgjedhur ndërsa partia drejtohej nga Basha.

SHIKONI EDHE: DASH: Sali Berishës i ndalohet hyrja në SHBA

Në janar të vitit 2022 pati përplasje të dhunshme mes mbështetësve të dy grupimeve, për shkak të konfliktit se cili prej tyre do të mbante selinë e PD-së, si dhe logon dhe vulën e saj. Në selinë e PD-së për disa orë pati konfrontime fizike dhe u desh ndërhyrja e policisë. Mbështetësit e Bashës u tërhoqën për të mos lejuar përsëritjen e skenave të tilla dhe selia e PD u mor nga Berisha dhe mbështetës të tij.

Më 21 mars të vitit 2022, menjëherë pas humbjes që PD pësoi në zgjedhjet e pjesshme vendore, Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i partisë dhe vendin e tij e zuri Enkelejd Alibeaj.

Më 25 mars, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij; më i rëndësishmi ishte ai për drejtimin e partisë nga ish-kryeministri.

Ky vendim u apelua nga Enkelejd Alibeaj, në atë kohë ushtrues detyre e Partisë Demokratike. Këtë të marte, Apeli ia rrëzoi ankesën asaj dhe i dha drejtë Berishës ta mbajë logon dhe vulën e partisë.