Vendimi i presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov për të mos dekretuar ligjet e miratuara nga Kuvendi me emrin Maqedonia e Veriut, mund të shkaktojnë ngecje në reforma nëse shumica parlamentare nuk nis procedurën për miratimin e sërishëm të tyre.
Nga Qeveria, veprimin e kreut të shtetit e kanë quajtur“lojë fëmijërore dhe motiv më të madh që në zgjedhjet presidenciale në këtë post të zgjidhet njeriu i duhur”.
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani pret që Kuvendi të veprojë sikur edhe herëve të kaluara, kur presidenti refuzonte dekretimin e ligjeve.
“Ne do vazhdojmë punën tonë në kuadër të mundësive tona ligjore, për të kaluar ligjet në Qeveri dhe Kuvend. Ne duhet ta kuptojmë se Maqedonia është Republikë parlamentare, pra nuk është presidenciale dhe fjalën e fundit për miratimin e ligjeve e ka Kuvendi”, ka deklaruar Osmani.
Siç njoftoi të hënën Kuvendi, bëhet fjalë për ligje të rëndësishme për procesin e integrimit evropian si Ligji për shërbimet e sigurisë, Ligji për komunikime elektronike, për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik, Ligji për shërbim në Armatë, pastaj Ligji për gjykatat i miratuar me dy të tretat, sikur edhe ligje tjera në sferën e ekonomisë dhe të bashkëpunimit me shtete tjera.
SHIKONI EDHE: Ivanov nuk i dekreton ligjet me emrin Maqedonia e VeriutNëse këto ligje nuk miratohen deri nga fundi i këtij muaji, atëherë mund të mbeten pas zgjedhjeve presidenciale, proces ky i cili, nëse zhvillohet në mënyrë në rregullt, do të përfundonte nga mesi i muajit maj.
Ivanov, ka bërë të ditur se ligjet nuk i ka dekretuar me arsyetimin se “gjatë ushtrimit të funksionit, gjithmonë ka pasur për bazë betimin e dhënë se do të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë”.
Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare kanë thënë se presidenti ka të drejtë të mos dekretojë ligje, nëse vlerëson se ka lëshime në zgjidhjet e miratuara.
“Në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe rregullores së Kuvendit, presidenti duhet dhe mundet t’i kthejë ligjet për rishqyrtim nga Kuvend, nëse vlerëson se ka bazë për një gjë të tillë. Për këtë ai duhet të pyetet, por sërish e them se ai e gëzon një të drejt të tillë”, ka deklaruar Vllatko Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Njohësit e çështjeve politike, gjithashtu kanë drejtuar kritika ndaj presidentit Ivanov duke theksuar se veprimi i tij është në dëm të shtetit dhe të qytetarëve, të cilët synim kryesor kanë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, por që sipas tyre, ky proces po zvarritet nga veprime si këto të presidentit Ivanov.
“Ai është një president i mbetur në të kaluarën dhe atje do të përfundojë pasi t’i skadojë mandati. Ai për asgjë të mirë nuk do të mbahet mend, përveç se si njeri që vetëm dëme i ka sjell këtij vendit dhe popullit të tij”, ka deklaruar Nikolla Dujovski, njohës i rrethanave politike dhe profesor në Fakultetin e Sigurisë në Shkup.
Presidenti Gjorve Ivanov edhe më parë ka refuzuar dekretimin e ligjeve të miratuara nga shumica parlamentare. Ai kishte kundërshtuar edhe Ligjin përdorimin e gjuhëve, që u zyrtarizua vetëm me firmën e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Ivanov ka refuzuar edhe Marrëveshjen me Greqinë për ndërrimin e emrin të shtetit me arsyetimin se “ligjet bien ndesh me Kushtetutën dhe rrezikojnë identitetin dhe gjuhën maqedonase”.