Gjokoviq nuk do të marrë pjesë në US Open

Tenisti Novak Gjokoviq. 31 dhjetor 2019.

Tenisti serb, Novak Gjokoviq tha të enjten se nuk do të jetë në gjendje të udhëtojë në Nju Jork për të garuar në US Open, Grand Slam-i i fundit i vitit që fillon javën e ardhshme, pasi ka refuzuar të vaksinohet kundër COVID-19.

Rregullat aktuale kërkojnë që udhëtarët duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar plotësisht për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mjerisht, nuk do të mund të udhëtoj në Nju Jork këtë herë për US Open”, shkroi Gjokoviq në Twitter.

"U uroj fat të mirë shokëve të mi! Do të jem në formë të mirë dhe me shpirt pozitiv, dhe do të pres një mundësi për të garuar sërish”.

SHIKONI EDHE: Gjokoviq largohet nga Australia

Tenisti tha më herët se ishte i përgatitur të humbiste turnetë Grand Slam që kërkojnë që lojtarët pjesëmarrës të vaksinohen kundër COVID-19.

35-vjeçari gjithashtu nuk ishte në gjendje të mbronte titullin e tij në Australian Open në fillim të këtij viti, pasi u deportua nga vendi për shkak të statusit të tij të vaksinimit.