Novak Gjokovic është deportuar nga Australia pasi humbi gjyqin ku apelonte vendimin për heqjen e vizës për Australi.
Vendimi do të thotë se nëntë herë kampioni i tenisit, Gjokoviq nuk do të mbrojë titullin e tij në Australian Open, i cili fillon të hënën dhe është i ndaluar të hyjë në Australi për tre vjet – edhe pse kjo mund të ndryshohet.
Pasi kishte kaluar tashmë pesë netë në ndalim në hotelin Park, ai nuk humbi kohë duke u larguar nga vendi dhe u fotografua i shoqëruar nga zyrtarë të Forcave Kufitare Australiane në aeroportin Tullamarine të Melburnit përpara se të hipte në një fluturim të Emirates për në Dubai që u nis në orën 22:30.
"Unë mund të konfirmoj se z. Gjokoviq tani është larguar nga Australia," shkroi Ministri i Imigracionit, Alex Hawke në Twitter.
Shpresat e Novak Gjokoviqit për të luajtur në turneun e tenisit "Australian Open" u shuan të dielën pasi një gjykatë hodhi poshtë ankesën e yllit të tenisit kundër një urdhri deportimi.
Tre gjyqtarë të Gjykatës Federale mbështetën njëzëri vendimin e marrë të premten nga Ministri i Emigracionit të Australisë, Alex Hawke për anulimin e vizës së 34-vjeçarit serb për arsye të interesit publik.
Novak Gjokoviq tha të dielën se ishte "jashtëzakonisht i zhgënjyer" nga vendimi i gjykatës, por ai do të pajtohej dhe do të largohej nga vendi.
“Unë e respektoj vendimin e gjykatës dhe do të bashkëpunoj me autoritetet përkatëse në lidhje me largimin tim nga vendi”, tha 34-vjeçari.
Gjyqtari kryesor, James Allsop, tha se gjykimi kishte të bënte me atë nëse vendimi i ministrit ishte "iracional ose ligjërisht i paarsyeshëm".
"Nuk është pjesë e funksionit të gjykatës që të vendosë mbi meritat ose mençurinë e vendimit," tha Allsop.
Kolegji i gjyqtarëve nuk dha shpjegime me shkrim për vendimin e tyre të dielën. Ato do të publikohen në ditët në vijim.
"Ky nuk është një apel kundër vendimit të qeverisë ekzekutive. Është një kërkesë në gjykatë si një krah i veçantë i qeverisë ... për të shqyrtuar ... ligjshmërinë e vendimit (të ministrit)", tha ai.
Gjokoviq u urdhërua gjithashtu të paguante shpenzimet gjyqësore të qeverisë.
Procesi gjyqësor që Gjokoviq kishte shpresuar se do të mbante gjallë aspiratat e tij për një titull të 21-të Grand Slam ishte jashtëzakonisht i shpejtë për standardet australiane.
Brenda tre orëve nga njoftimi i Hawke të premten pasdite se viza e Gjokoviqit ishte anuluar, avokatët e tij ishin para një gjyqtari të Gjykatës Federale të Qarkut për të nisur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit.
Çështja u dërgua në Gjykatën Federale të shtunën dhe parashtresat u dorëzuan nga të dyja palët po atë ditë.
Të tre gjyqtarët e dëgjuan çështjen për pesë orë të dielën dhe shpallën vendimin e tyre dy orë më vonë.
SHIKONI EDHE: Gjokoviq ndalohet sërish në Australi, e deklarojnë kërcënim publikNë mes të përfundimit të seancës dhe vendimit, Tennis Australia, organizatori i turneut, kishte njoftuar se Gjokoviq ishte planifikuar të luante ndeshjen e fundit të hënën në Rod Laver Arena.
Ai duhej të luante me Miomir Kecmanoviq, një bashkëkombëtar serb i renditur i 78-ti në botë.
Tenis Australia nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm për humbjen ligjore të tenistit.
Ministri australian e anuloi vizën me arsyetimin se prania e Gjokoviqit në Australi mund të jetë një rrezik për shëndetin dhe "rendin e mirë" të popullit australian dhe "mund të jetë kundërproduktive ndaj përpjekjeve për vaksinimin nga të tjerët në Australi".
Viza e Gjokoviqit u anulua fillimisht më 6 janar në Aeroportin e Melburnit disa orë pasi ai mbërriti për të garuar në Grand Slam-in e parë të vitit 2022.
Një zyrtar kufitar anuloi vizën e tij pasi vendosi që Gjokoviq nuk kualifikohej për një përjashtim mjekësor nga rregullat e Australisë për vizitorët e pavaksinuar.