Gjigantët teknologjikë luftojnë tentimet e Iranit për shtrirje të propagandës

Kompania Google ka njoftuar se ka mbyllur dhjetëra kanale në YouTube dhe llogari tjera të lidhura me një transmetues shtetëror iranian, i cili është thënë të ketë udhëhequr një fushatë për ndikim politik.

Google ka thënë më 23 gusht se të dhënat e studimit të ri tregojnë se llogaritë janë krijuar nga disa persona të lidhur me Transmetuesin e Republikës Islamike të Iranit (IRIB).

Gjiganti teknologjik ka thënë se ka bllokuar 39 kanale në YouTube, të cilat janë klikuar 13,466 herë në Shtetet e Bashkuara, ka mbyllur gjashtë llogari në Blogger dhe 13 të tjera në rrjete tjera të lidhura me Google.

Kompania për siguri kibernetike, FireEye, e cila ka alarmuar kompanitë për aktivitet të dyshimtë, ka thënë në një raport këtë javë se i gjithë operacioni drejtohet nga Irani dhe promovon interesat iraniane në SHBA dhe vende tjera.

Transmetuesi iranian ende nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.

FireEye ka thënë se së bashku me hapat e marrë në Facebook dhe Twitter më 21 gusht, për të mbyllur llogaritë që janë konsideruar të rreme dhe janë krijuar nga Iran, fushata e këtij vendi në YouTube tregon se Rusia nuk është vendi i vetëm që bën fushatë politike për ndikim në rrjetet sociale.

Rrjeti social, Facebook ka njoftuar për tërheqjen e 652 faqeve të dyshimta dhe llogarive të lidhura me Iranin e Rusinë, teksa Twitter ka fshirë rreth 300 llogari.

Përveç bllokimit të llogarive të transmetuesit iranian në YouTube, Google ka thënë se ka ndalur edhe “sulmet e sponzoruara nga shteti”, përmes së cilave është tentuar që të fitohen të dhënat e personave që klikojnë në linqe specifike.

“Në muajt e fundit ne kemi vërejtur dhe bllokur tentime të sponsoruara nga shteti për të ndikuar në shtete të ndryshme dhe të cilat kanë shënjestruar fushatat politike, gazetarë, aktivistë dhe akademikë në gjithë botën”, ka njoftuar Google.

Gjiganti me seli në Kaliforni ka shtuar se në vitin e kaluar ka rritur mbrojtjen kundër “personave të lidhur me” Agjencinë ruse për Kërkime në Internet, e cila është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Kompanitë teknologjike kanë shtuar masat e tyre për të luftuar fushatat për ndikim politik nga qeveritë e huaja në krahasim me vitin e kaluar, kur Facebook, Twitter dhe Google janë kritikuar ashpër që kanë lejuar agjentët rusë për të shpërndarë propagandë në rrjetet e tyre gjatë zgjedhjeve amerikane më 2016.

Kompani të ndryshme tani janë duke ofruar ndihmë specifike për të mbrojtur kandidatët politikë amerikanë nga sulmet ruse dhe persona tjera, para zgjedhjeve kongresionale që mbahen më 2018.

Microsoft ka njoftuar këtë javë se është duke ofruar shërbimin AccountGuard (Mbrojtës i llogarisë) për kandidatët federalë, shtetërorë dhe ata lokalë të të gjitha partive, si dhe për disa organizata joqeveritare.

Kompania po ashtu ka thënë se mund të bashkëpunojë me kompanitë tjera siç janë Facebook dhe Twitter për të krijuar më shumë siguri për zgjedhje, mirëpo ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Vitin e kaluar, Google ka lansuar një program që mbron politikanët, gazetarët dhe liderët e bizneseve nga sulmet të tilla.

Mirëpo të paktën një ekspert i mirënjohur i sigurisë ka thënë se tanimë mund të jetë shumë vonë për të ndalur ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet e Kongresit që mbahen në muajin nëntor.

Alex Stamos, i cili javën e kaluar ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të sigurisë në Facebook, ka thënë në një postim online se zyrtarët amerikanë nuk i kanë trajtuar kërcënimet me shumë seriozitet.

Ai ka cituar disa përfundime të kompanisë, Microsoft të kësaj jave, të cilat kanë treguar përpjekjet e një grupi rus të lidhur me Qeverinë Ruse për të imituar faqet zytare të Senatit amerikan dhe institucioneve konservatore.

Faqe të tilla të rreme janë përdorur më parë nga grupi i njohur si Fancy Bear për të ndërhyrë në kompjuterët e viktimave që kanë klikuar në to.

Stamos ka thënë se “në disa mënyra, SHBA-ja i ka treguar botës se nuk i trajton shumë seriozisht këto çështje dhe se secili veprim i keq kundër Perëndimit do të ndëshkohet me më shumti një shuplakë në fytyrë”.

Sipas tij, “ky dështim e ka lënë të papërgatitur SHBA-në për të mbrojtur zgjedhjet e vitit 2018”, ndonëse “ende ka mundësi për të mbrojtur demokracinë amerikane më 2020”.

Zgjedhjet për Kongres do të mbahen më 6 nëntor, ndonëse procesi fillestar tashmë ka nisur në disa shtete amerikane.

Përgatiti: Krenare Cubolli