Gjiganti i energjisë Shell njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.
Me këtë veprim, Shell u bashkohet dhjetëra kompanive të tjera, që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Shell u kritikua shumë në fundjavë, pasi bleu një ngarkesë të naftës së papërpunuar ruse me një çmim të zbritur.
Shefi i kompanisë, Ben van Beurden, tha të martën se blerja e naftës ruse ka qenë gabim.
"Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendimi ynë javën e kaluar, për të blerë një ngarkesë me naftë bruto ruse, nuk ka qenë i duhuri dhe na vjen keq", tha van Beurden.
Kompania shumëkombëshe e energjisë, Shell, ka selinë në Londër.
Menjëherë pas njoftimit të saj, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi në Twitter, duke thënë se i është mirënjohës Shell-it për këtë "hap moral dhe të përgjegjshëm".
Kuleba inkurajoi edhe bizneset tjera botërore që të ndjekin shembullin.
SHIKONI EDHE: Rusia kërcënon me ndalimin e gazit të saj në EvropëMoska filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, më shumë se 2 milionë civilë u larguan nga vendi i pushtuar.
Dhjetëra kompani, përfshirë firma të mëdha të sektorit të naftës, si BP dhe Exxon, u tërhoqën nga Rusia.
Kjo, pasi Perëndimi vendosi sanksione të ashpra ndaj saj si ndëshkim për agresionin në Ukrainë.
- Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.