Gjermania mohon bllokimin e dërgimit të tankeve Leopard në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, flet përmes video-lidhjes gjatë takimit në bazën ajrore Ramstein të Gjermanisë të ministrit gjerman të mbrojtjes, Boris Pistoriu, me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg. 20 janar 2023.

Ministri i ri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, mohoi të premten se Berlini po bllokon në mënyrë të njëanshme dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë, por tha se qeveria ishte e gatshme të lëvizte shpejt për këtë çështje nëse do të kishte konsensus midis aleatëve.

Duke folur me gazetarët, në një takim të liderëve të NATO-s dhe të mbrojtjes, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, Pistorius tha se ka arsye pro dhe kundër për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë.

"Ka arsye të mira për dërgimin e tyre dhe ka arsye të mira kundër dërgimit të tyre, dhe duke pasur parasysh të gjithë situatën e një lufte që po vazhdon për gati një vit, të gjitha argumentet pro dhe kundër duhet të peshohen me shumë kujdes", tha ai pa dhënë më shumë detaje për arsyet.

Presioni mbi Berlinin është rritur për të siguruar tanke për Kievin, të cilat Ukraina i sheh si kyçe në luftën kundër Rusisë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më herët u kërkoi aleatëve të gërmojnë më thellë për të mbështetur Ukrainën.

Udhëheqësit e NATO-s dhe ministrat e mbrojtjes nga rreth 50 vende po zhvillojnë takim në bazën ajrore Ramstein të Gjermanisë, për të folur për ndihëm dhe premtimin e armëve që kur Rusia pushtoi Ukrainën gati 11 muaj më parë.

Ky takim ka ka rezultuar në një konsensus të gjerë se më shumë ndihmë ushtarake duhet t'i dërgohet Ukrainës - dhe ajo po dërgohet. Por, ende nuk ka një vendim për një pjesë të pajisjes që Ukraina kërkon urgjentisht: tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman.

Gjermania është bërë një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Ukrainës në përgjigje të pushtimit të Rusisë, por ajo ende nuk ka rënë dakord të dërgojë tanke ose të lejojë vendet e tjera të dërgojnë tanket e tyre të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Rieksporti i Leopardëve kërkon miratimin e Qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t'i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim.

Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë.

Mirëpo, Pistorius ka thënë se nuk është në dijeni të kushteve të tilla.