Kompania televizive shtetërore e Rusisë në Gjermani, Channel One, njoftoi se Qeveria gjermane i ka urdhëruar dy gazetarë të saj të largohen nga vendi, duke e nxitur Moskën t’ua heqë akreditimin dy korrespondentëve nga grupi media gjerman, ARD, në shenjë hakmarrjeje.
Gazetarët e Channel One, korrespondenti Ivan Blagoi dhe kameramani Dmitry Volkov, thanë se u njoftuan se duhet të largohen nga Gjermania deri kah mesi i dhjetorit. Edhe vetë televizioni e konfirmoi dëbimin e tyre përmes një postimi në rrjetet sociale të mërkurën.
Blagoi tha se autoritetet gjermane e arsyetuan këtë vendim duke thënë se ai “është në interes të sigurisë së Republikës Federale të Gjermanisë”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha në një konferencë për media të mërkurën se Moska ua ka hequr akreditimin dy korrespondentëve të ARD-së, duke thënë se “ne duhet të ndërmarrim kundërmasa”. Ajo nuk dha hollësi të tjera.
SHIKONI EDHE: Rusia e arreston një shtetas gjerman, e akuzon për sabotimDëbimet e tyre shënojnë zhvillimin më të fundit në një varg tensionesh në rritje midis Rusisë dhe vendeve Perëndimore lidhur me rolin e mediave shtetërore ruse.
Prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, transmetuesit rusë janë përballur me ndalime, qasje të kufizuar në platformat e mediave sociale dhe me akuza për përhapjen e propagandës.
Channel One, një transmetues në gjuhën ruse i popullarizuar mes audiencës më të moshuar në Rusi dhe disa ish-republika sovjetike, është kritikuar për punën e tij.
ARD-ja është shoqatë e transmetuesve publikë gjermanë.
Thuhet se autoritetet gjermane e kanë akuzuar këtë kanal për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave mes diasporës rusishtfolëse në Gjermani, e cila numëron qindra mijëra. Akuzat përfshijnë pretendimet se kanali e arsyeton pushtimin rus të Ukrainës dhe i portretizon mbrojtësit e Ukrainës si "nazistë".
LEXONI EDHE KËTO:
Gjermania bllokon transmetimin e kanalit shtetëror rusDeutsche Welle mbyll byronë në MoskëDëbimet ndodhën pas një raporti të transmetuar nga Blagoi më 24 nëntor lidhur me Nikolaj Gajduk, një shtetas gjerman i arrestuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë në tetor.
Raporti pretendonte se agjencitë perëndimore të inteligjencës, përfshirë CIA-n, ishin të përfshira në veprimet e supozuara të Gajduk, të urdhëruara nga shërbimet speciale ukrainase.
Koha e vendimit për të dëbuar gazetarët, menjëherë pas këtij transmetimi, ngre pyetje mbi dimensionet më të gjera gjeopolitike të incidentit.
Rusia është hakmarrë vazhdimisht ndaj masave kundër mediave e saj shtetërore. Pasi Gjermania e ndaloi RT-në, transmetuesin e mbështetur nga Kremlini, në vitin 2022, Moska e mbylli zyrën e Deutsche Welle në Rusi dhe anuloi akreditimet për gazetarët gjermanë.
Gjermania ka një numër të madh banorësh që kanë emigruar nga ish-Bashkimi Sovjetik, kryesisht gjermanë etnikë nga Kazakistani dhe Rusia.