Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e ritheksoi qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
“Sa për ta rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi në qershor 2022, për normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe”, shkroi Rohde në rrjetin social X të enjten vonë.
Ai tha se “kjo vlen ende”, duke shtuar se rruga është tashmë e hapur për Kosovën dhe Serbinë përmes zbatimit “të menjëhershëm” të marrëveshjeve të arritura më 2023 për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Deklarata e tij erdhi pak pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).
SHIKONI EDHE: Hill: Njohja e Kosovës s’do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BETë enjten më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.
"Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, tha ai.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.
Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.
Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.
SHIKONI EDHE: BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me KosovënPor, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.
Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.
Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.