Gjermania pritet t'i mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt

Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Gjermania pritet t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt, njëmbëdhjetë javë pas prishjes së koalicionit qeveritar, dhe burimet thonë se Social-Demokratët, Të Gjelbrit dhe konservatorët kanë arritur kompromis për kohën.

Partitë opozitare dëshirojnë që të ketë zgjedhje qysh në janar, dhe kanë paralajmëruar se Gjermania rrezikon të mbetet pa timon në kohën e krizës ekonomike, dhe në kohën kur fitorja e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara përbën sfida të reja diplomatike.

SHIKONI EDHE: Çka pritet nga presidenca e dytë e Trumpit?

Mirëpo, Scholz ka paralajmëruar se zgjedhjet në janar mund të ngarkojnë autoritetin zgjedhor në kohë pushimesh dhe që partitë mund të përfundojnë të papërgatitura.

Për t’i organizuar zgjedhjet e reja, Scholz duhet të thërrasë votëbesim dhe ta humbasë atë në Parlament.

Koha e mbajtjes së një seance të tillë nuk dihet, mirëpo mediat lokale kanë raportuar se do të mund të organizohet në mesin e dhjetorit.

Scholz, i cili aktualisht udhëheq një Qeveri të pakicës, me përkrahjen e të Gjelbërve, shpreson të sigurojë mjaftueshëm mbështetje për t’i miratuar ligjet për mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese nga e djathta ekstreme, dhe për të ndarë fonde për Ukrainën para se të largohet nga zyra e kryeministrit.

Qeveria e tij është rrëzuar pas disa muajsh të mospajtimeve mes partive në pushtet, dhe gjithçka ka përfunduar kur neoliberalët, Demokratët e Lirë, kanë kërkuar shkurtime buxhetore, për të cilat nuk kanë mundur të pajtohen partnerët e krahut të majtë.