Gjermania planifikon të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën

Nga zvogëlimi i buxhetit pritet të preket edhe dërgimi i tankeve gjermane Leopard në Ukrainë.

Gjermania është duke planifikuar që gati të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën vitin e ardhshëm, prej rreth 8 miliardë eurove në rreth 4 miliardë, sipas një drafti të buxhetit të miratuar nga Qeveria.

Ministri i Financave, Christian Lindner, ka thënë se financat për Ukrainën “janë të sigurta për të ardhmen” për shkak të një skeme të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) për të krijuar një fond prej 50 miliardë dollarëve prej interesit të marrë nga asetet e ngrira ruse.

Gjermania është e dyta – pas Shteteve të Bashkuara – për ndihmën ushtarake që i ka ofruar Ukrainës, pas nisjes së pushtimit rus, më 2022.

SHIKONI EDHE: Ky vit mund të përcaktojë fatin e luftës në Ukrainë

Më 2024, buxheti i Berlinit për Kievin është rreth 7.5 miliardë euro.

Ky shkurtim fondi është bërë në kohën e rritjes së shqetësimeve në Ukrainë, por edhe në mesin e aleatëve evropianë që Shtetet e Bashkuara mund të ndalin tërësisht ndihmën, nëse kandidati i republikanëve, Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ndonëse ndihma ushtarake për Ukrainën pritet të zvogëlohet, buxheti i Gjermanisë për mbrojtje për vitin 2025 do të rritet për 1.3 miliard euro në 53 miliardë euro.

Kështu, Gjermania pritet të përmbushë targetin e kërkuar prej NATO-s, që vendet anëtare të shpenzojmë 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje.

Tani, buxheti për mbrojtje do të duhet të miratohet nga ligjvënësit.