Gjermania nis mbrojtjen e hapësirës ajrore të Sllovakisë

Aeroplanët luftarakë gjermanë.

Aeroplanët luftarakë gjermanë kanë nisur të shtunën që t’i ndihmojnë Sllovakisë në mbrojtjen e hapësirës ajrore, pasi kjo e fundit ia ka dhuruar Ukrainës shumicën e pajisjeve për mbrojtje.

Aeroplanët gjermanë do ta mbrojnë këtë shtet të NATO-s deri më 22 dhjetor, ka thënë forca ajrore gjermane.

Aeroplanët e dërguar do të jenë vazhdimisht aktivë në identifikimin e lëvizjeve armiqësore në hapësirën ajrore të Sllovakisë, ka thënë ushtria gjermane.

Sllovakia është fqinje e drejtpërdrejtë e Ukrainës, e cila është duke luftuar pushtimin rus, prej shkurtit të vitit të kaluar.

Sllovakia ia ka dorëzuar Ukrainës sistemet e saj për mbrojtje ajrore S-300, në prill të vitit 2022.

Si zëvendësim, Shtetet e Bashkuara dhe Holanda, ia kanë dhuruar Sllovakisë nga një sistem raketor për mbrojtje Patriot, ndërsa Gjermania dy shtesë.

Megjithatë, ato i kanë tërhequr prej atëherë bateritë e sistemeve Patriot nga ky vend.

Prej periudhës kur Sllovakia ia ka dorëzuar Ukrainës edhe disa armë shtesë të periudhës sovjetike, hapësirën e saj ajrore e kanë siguruar Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria.