Thirrjet për heqjen e kufizimeve lidhur me COVID-19 janë shtuar në Gjermani derisa një ministër tha se shumë nga rregullat kufizuese mund të largohen muajin e ardhshëm.
“Shpresoj se në mars shumë nga masat mbrojtëse do të tërhiqen”, tha Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann në një intervistë për gazetën “Rheinische Post ”, të publikuar të mërkurën (2 shkurt).
Kjo varet nga ajo se sa do të bijnë numrat e infektimeve në mes të shkurtit, tha Buschmann, duke shtuar se Instituti Kombëtar për Kontrollin e Sëmundjeve, pret që kjo të ndodhë.
Ministri megjithatë ka paralajmëruar se gjërat mund të ndryshojnë nëse variante të reja të koronavirusit zhvillohen.
Në Gjermani, vendosja e masave kufizuese gjatë pandemisë ka qenë në dorë të secilit prej 16 shteteve edhe pse qeveria federale takohet me udhëheqësit e shteteve për t’u koordinuar për rregullat e shëndetit publik.
Kancelari, Olaf Scholz pritet të takohet me liderët rajonalë më 16 shkurt. Në takimin e tyre të fundit më 24 janar ata ishin pajtuar që të qëndrojnë në linjën që ishin sa i përket masave.
Një numër kufizimesh mbeten në fuqi në përpjekje për të frenuar një valë të re infeksionesh të nxitura nga varianti më i transmetueshëm, Omicron.
Disa vende, si klubet e natës, mbeten të mbyllura, ndërsa restorantet, baret dhe objektet e tjera duhet të kontrollojnë nëse klientët janë vaksinuar ose shëruar përpara se të hyjnë.
Njerëzit të cilët kanë marrë vaksinën e tretë janë të përjashtuar nga kërkesa e testimit.
Individëve të pavaksinuar përgjithësisht u ndalohet hyrja në restorante, bare dhe shumë dyqane.
SHIKONI EDHE: Danimarka heq të gjitha kufizimet kundër COVID-19Deri më tani, 74.1% e popullsisë gjermane konsiderohet e vaksinuar plotësisht, ndërsa 53.3% kanë marrë vaksinën e tretë, sipas të dhënave të qeverisë.
Ekspertët e shëndetit kanë vënë në dukje se shumë të moshuar në Gjermani mbeten në rrezik të sëmundjes serioze nga koronavirusi për shkak se ata nuk janë vaksinuar.