Prokurorët gjermanë thanë më 25 gusht se po hetojnë tentativën për vrasjen e gazetares ruse me bazë në Berlin, Elena Kostyuchenko, pasi ajo ishte një nga tre gazetaret ruse në mërgim që përjetuan simptoma të ngjashme me helmimin.
Kostyuchenko, një korrespondente e huaj që ekspozoi krimet e dyshuara ruse të luftës në Ukrainë, tetorin e kaluar përjetoi çorientim ekstrem, dhimbje barku dhe fryrje të ekstremiteteve gjatë një udhëtimi me tren nga Munihu në Berlin.
“Kur dola në stacionin e trenit, e kuptova se nuk po mund ta gjeja se si të kthehesha në shtëpi”, shkroi ajo dy javë më parë në revistën letrare n+1. “E dija që duhej të transferohesha në metro, por nuk mund ta gjeja se si”.
Dy javë më parë, portali hetues The Insider raportoi se mjekët me të cilët ishin konsultuar kishin thënë se simptomat e saj përkonin me helmimin.
“Mund ta konfirmojmë se një hetim për tentativën për vrasje të Elena Kostyuchenko është në pritje”, tha të premten një zëdhënës i prokurorëve të Berlinit.
The Insider raportoi se dy gazetare të tjera ruse që jetonin në mërgim përjetuan simptoma helmimi gjatë të njëjtës periudhë: në maj të vitit 2023, Natalia Arno, presidente e Fondacionit Rusia e Lirë me qendër në SHBA, u sëmur në Pragë. Në tetor, gazetarja Irina Babloyan u sëmur në Tbilisi.
SHIKONI EDHE: Sa persona janë larguar nga Rusia prej nisjes së luftës dhe kush janë ata?Kostyuchenko dhe mjekët e saj fillimisht besuan se ajo vuante nga simptomat e COVID-19 dhe, kur u kryen testet e plota, ishte tepër vonë për të testuar për mbetje helmi ose ndonjë test që do ta konfirmonte helmimin.
Prokurorët gjermanë nuk pranuan të japin detaje të mëtejshme për hetimit, shkaku i, siç thanë ata, ndjeshmërisë së rastit.
Kostyuchenko punoi për Novaya Gazeta – gazetën e pavarur që fitoi Çmimin Nobel për Paqen për raportimin e saj për Rusinë – deri kur u mbyll. Në këtë gazetë kishte punuar edhe Anna Politkovskaya, gazetarja e vrarë pas raportimit për luftërat e Rusisë në Çeçeni.
Që nga mbyllja e kësaj gazete, ajo ka punuar për faqen ruse të lajmeve Meduza, me bazë në Vilnius.
Tani duke jetuar në fshehtësi, Kostyuchenko tha se ende po vuante nga disa efekte të helmimit.
“Jam vërtet e rraskapitur edhe pse kam shumë punë për të bërë”, tha ajo për agjencinë e lajmeve Reuters.