Gjermania e ka mirëpritur pajtueshmërinë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për dërgimin e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në pjesën lindore të Ukrainës, duke thënë se e përshëndet “ndryshimin në politikën ruse”.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha në Berlin se shpallja e Putinit ishte “befasuese” por theksoi se “ishte shumë i kënaqur për ta parë këtë sinjal”, se Putini “dëshiron të diskutojë mëtutje për kërkesën të cilën Rusia e ka refuzuar në të kaluarën, e konkretisht shfrytëzimin e helmetave të katërta, ushtarët e OKB-së, pra mision të helmetave të katërta në pjesën lindore të Ukrainës, për implementimin e armëpushimit”.
Propozimi i zotit Putin për dërgimin e misionit paqeruajtës me armatim të lehtë të Kombeve të Bashkuara, për mbrojtjen e monitoruesve ndërkombëtarë në pjesën lindore të Ukrainës, është paraqitur te kryesuesi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrëmë vonë, pasi Putini kishte propozuar një gjë të tillë, gjatë një konference për shtyp në Kinë, dje më herët gjatë ditës.
Mëtutje zoti Gabriel theksoi se ajo që është “më e rëndësishme, kjo ofertë për mision të OKB-së në pjesën lindore të Ukrainës, tregon se Rusia i ka ndryshuar politikat e saj dhe ne nuk duhet ta humbim rastin” dhe ka shtuar se “do të jetë gjë e mirë nëse ne e marrim këtë si një hapje e bisedimeve për mënyra të reja të uljes së tensioneve”.
Ukraina tha se ishte “e përgatitur për të punuar për këtë çështje” dhe në Kombet e Bashkuara e ka dërguar një delegacion për konsultime në Këshillin e Sigurimit.
Përfaqësuesi i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Volodymyr Yelchenko, tha se presidenti, Petro Poroshenko, do të merret me këtë temë në fjalimin e tij më 20 të këtij muaji në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Misioni – në linjën e kontaktit apo në kufi?
Ligjvënësja e njohur ukrainase, Iryna Herashchenko, e ka kundërshtuar vendosjen e misionit paqeruajtës përgjatë linjës së frontit të luftës, por është angazhuar që misioni të vendoset përgjatë kufirit Ukrainë – Rusi.
Zonja Herashchenko, që është zëvendëskryetare e parë e Parlamentit të Ukrainës, ka shkruar në rrjetin Facebook, se “linja e konfrontimit është shndërruar në linjë të konfrontimit për shkak të agresionit të Rusisë”.
“Për ne, kjo është linjë e kontaktit, konkretisht kontakt me territoret e okupuara përkohësisht”, ka shkruar ligjvënësja Herashchenko dhe ka shpjeguar se “ky nuk është kufiri i Ukrainës dhe rrjedhimisht, për paqeruajtësit përgjatë linjës së kontaktit as që mund të diskutohet”.
Paqeruajtësit duhet të vendosen në gjithë territorin e Ukrainës, që aktualisht nuk kontrollohet nga Kijevi, për “monitorimin e situatës së sigurisë dhe demilitarizimit”, ka thënë Herashchenko. Sipas saj, “mandati i paqeruajtësve duhet të përfundoj në kufirin ukraino-rus”.
Përfaqësuesi i Ukrainës në OKB, Volodymyr Yelchenko, ka thënë, po ashtu, se paqeruajtësit do të duhej të vendoseshin në kufirin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për ta kontrolluar rrjedhjen e armatimit dhe të luftëtarëve që hyjnë nga Rusia.
Ukraina tash sa kohë ka kërkuar vendosjen e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në territorin e kontrolluar nga separatistët, por ka thënë se ata duhet të vendosen në gjithë hapësirën, përfshirë përgjatë pjesës së kufirit ukraino-rus, të cilin Kievi aktualisht nuk e ka nën kontroll.
Kievi është i shqetësuar se vendosja e paqeruajtësve përgjatë linjës së demarkacionit vetëm do ta forconte kontrollin e separatistëve ndaj territorit që ata e mbajnë dhe Rusia do të ishte e lirë për të vazhduar dërgimin e trupave dhe ushtarëve përgjatë kufirit ndërkombëtar dhe për ta nxitur konfliktin, nga i cili prej vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë vetë.
Nuk ka plan për votim të propozimit të Moskës
Në ftesën për forcë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Putini ka insistuar se ajo do të ishte e kufizuar për operim në “vijën e demarkacionit” ndërmjet forcave të Ukrainës dhe separatistëve dhe do të duhej ta siguronte vetëm misionin e paarmatosur për monitorim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).
“Nëse të gjitha këto kushte plotësohen, sipas pikëpamjes sime, do të përfitonim një rezolutë për problemin në pjesën lindore të Ukrainës”, tha Vladimir Putin në një konferencë për shtyp, dje në Pekin të Kinës.
Agjencia AFP ka raportuar se propozim-rezoluta e Rusisë e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrëmë vonë, parasheh mision vetëm pëgjatë linjave të përshkruara nga Putini.
Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, tha se nuk ka plane të menjëhershme për votim lidhur me propozimin e Moskës.
Përgatiti: Fatmir Bujupi