Reuters
Gjermania këtë javë paralajmëroi se planifikon t'i ashpërsojë kontrollet në të gjithë kufijtë e vet tokësorë dhe t'i kthejë mbrapshtë azilkërkuesit, në përpjekje për ta zvogëluar emigracionin e parregullt.
Gjermania shtrihet në zemër të Evropës dhe kufizohet me nëntë vende. Planet e saj krijojnë vështirësi në lëvizjen e lirë brenda Bashkimit Evropian, e cila ka qenë shtyllë e projektit evropian.
Më poshtë mund të lexoni më shumë rreth planeve, çfarë i ka nxitur ato dhe çfarë reagimesh kanë ngjallur ato:
Çfarë njoftoi Gjermania?
Gjermania njoftoi të hënën se do t’i zgjerojë kontrollet e përkohshme në të gjithë kufijtë tokësorë.
Kontrollet në atë që është zonë e gjerë e lëvizjet së lirë – apo Schengen Zone – do të fillojnë më 16 shtator dhe fillimisht do të zgjasin gjashtë muaj.
Të martën, Gjermania njoftoi propozimet për ashpërsimin e rregullave të BE-së për azilin, përfshirë ndalimin e azilkërkuesve dhe mbajtjen e tyre derisa autoritetet të vendosin nëse Gjermania është përgjegjëse për përpunimin e rasteve të tyre.
SHIKONI EDHE: Gjermania: Kontrollet kufitare janë në linjë me rregullat e BE-sëPolicia mund ta bëjë këtë me ndihmën e bazës së Evropës për ndarjen e të dhënave të shenjave të gishtërinjve, Eurodac, përveç mjeteve të tjera.
Qeveria nuk e pranoi kërkesën e konservatorëve në opozitë që azilkërkuesit t’i kthejë automatikisht mbrapsht në kufi, sepse ajo dhe të tjerët vlerësojnë se një gjë e tillë është kundër ligjit të BE-së.
Pse pikërisht tani?
Analistët thonë se, derisa emigracioni i jashtëligjshëm i ka tendosur dukshëm shërbimet publike, këto plane ka gjasa të jenë politikisht të motivuara dhe një përpjekje për ta parandaluar rritjen e mbështetjes për partitë opozitare të ekstremit të djathtë dhe ato konservatore para zgjedhjeve federale të landeve.
Sondazhet tregojnë se emigracioni është shqetësimi kryesor i votuesve në landin lindor të Gjermanisë, Brandenburg, ku do të mbahen zgjedhjet pas dhjetë ditëve dhe ku partia e kancelarit Olaf Scholz, Social-Demokratët (SPD), po lufton për ta ruajtur pushtetin.
Sondazheve është duke iu prirë partia kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), pasi në fillim të këtij muaji u bë partia e parë e ekstremit të djathtë prej Luftës së Dytë Botërore që i fiton zgjedhjet në një land, pas triumfit në Thuringia.
SHIKONI EDHE: Fitorja e AfD-së në zgjedhje drithëron politikën në BerlinSulmet vdekjeprurëse me thikë rishtazi i kanë rritur shqetësimet rreth emigracionit, pasi të dyshuar për kryerjen e tyre janë azilkërkuesit. Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për një sulm me thikë në qytetin perëndimor, Solingen, ku u vranë tre njerëz në gusht.
Si mund të ndikojë kjo në udhëtimin brenda BE-së?
Udhëtarët mund të përballen me kontrolle me të zakonshme në vetura, trena dhe autobusë në pikat kufitare, gjë që mund të ndikojë në kolona dhe vonesa në trafik.
Kushdo që vlerësohet se po futet në Gjermani jashtëligjshëm, mund t’i ndalohet hyrja, ose të arrestohet në kufi apo në afërsi të tij, nëse thotë se dëshiron të marrë azil në këtë vend.
SHIKONI EDHE: Sulmi me thikë në Gjermani, “akt i mundshëm terrorizmi” - sipas zyrtarit gjerman“Nuk pres fund për Schengenin në përgjithësi, por hapësirë më të vogël të lëvizjes së lirë”, tha Marcus Engler nga Qendra Gjermane Hulumtuese për Integrim dhe Emigrim.
Si reaguan vendet e tjera?
Disa vende fqinj kanë reaguar me habi të madhe ndaj vendimit të Gjermanisë, i cili mund të bëjë që këto vende të pranojnë më shumë azilkërkues dhe mund të ketë ndikim në tregti dhe udhëtim.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, bëri thirrje të martën për konsultime me vendet e tjera të prekura nga vendimi dhe për më shumë mbështetje për politikat e Varshavës për emigracionin.
Ai tha se Polonia nuk ka nevojë për kontrolle më të ashpra në kufijtë e vet me Gjermaninë, por për më shumë angazhim nga Berlini dhe të tjerët për t'i siguruar kufijtë e jashtëm të BE-së.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se është gabim të “shkohet me një logjikë të përjashtimeve ad-hok nga marrëveshja e Schengenit, me kontrolle kufitare që do ta dëmtojnë njërën prej arritjeve më thelbësore të BE-së”.
SHIKONI EDHE: Gjermania ashpërson kontrollet kufitareTë tjerët ishin më të sinqertë, megjithatë, duke qenë se Gjermania, si vendet e tjera të BE-së, tashmë ushtron kontrolle në disa nga kufijtë e saj. Ministri i Brendshëm çek, Vit Rakusan, tha, për shembull, se ai nuk priste ndryshime materiale pasi kontrollet do të ishin të zakonshme.
Si Polonia, ashtu edhe Republika Çeke, kanë tashmë qendra ndalimi për të mbajtur emigrantët që nuk kanë dokumentet e nevojshme të udhëtimit ose kërkesat e të cilëve për azil janë duke u përpunuar.
Ndërkohë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ka kërkuar prej kohësh që të bëhet më shumë në Evropë për të ndaluar emigrimin e parregullt, përshëndeti vendimin, duke shkruar në X: “Scholz, mirë se vjen në klub! #MjaftEmigrimit”.
Rritja e kërkesave për azil
Bashkimi Evropian ka pranuar më shumë se 1.14 milion kërkesa për azil në vitin 2023, më së shumti prej krizës me emigrantë në vitin 2016, sipas Agjencisë së BE-së për Azil (EUAA).
SHIKONI EDHE: Gjermania kritikohet për shqyrtimin e dëbimit të afganëve dhe sirianëveMegjithatë, kërkesat janë ulur në muajt e fundit dhe në maj ranë për një të tretën krahasuar me numrin më të lartë të kërkesave vjeshtën e kaluar.
Gjermania vazhdon të pranojë më së shumti kërkesa për azil, 22 për qind të totalit, ndërsa Irlanda pranon më së shumti për kokë banori.
Çfarë pritet të ndodhë?
Berlinit i duhet t’i diskutojë planet për arrestimin e azilkërkuesve në kufi me 16 qeveritë rajonale të Gjermanisë, autoritetet e të cilave do të duhej t’i zbatonin ato.
Berlini ka thënë gjithashtu se dëshiron të konsultohet me partnerët evropianë, bashkëpunimi i të cilëve do t’i nevojitej në rast se do të donte t’i kthente mbrapsht azilkërkuesit.
Megjithatë, Gjermania mund t’i fillojë kontrollet kufitare menjëherë, pasi e ka njoftuar tashmë Komisionin Evropian për vendimin e saj.