Gjermania e arreston një oficer të ushtrisë, dyshohet se spiunonte për Rusinë

Ambasada ruse në Berlin.

Gjermania e ka arrestuar një oficer të agjencisë ushtarake të prokurimit, nën dyshimin se i ka dhënë informacione të fshehta inteligjencës ruse, njoftoi të mërkurën zyra e Prokurorisë Federale të Gjermanisë.

Shtetasi gjerman, të cilin zyra e prokurorit e identifikoi si Thomas H., i ishte afruar vazhdimisht konsullatës së Rusisë në Bon dhe Ambasadës në Berlin, nga maji me vetiniciativë dhe kishte shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me ta, tha zyra e prokurorit më 9 gusht.

“Prokurori federal e ka arrestuar një oficer gjerman nën dyshimin se punon për një shërbim të huaj sekret”, shkroi ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Marco Buschmann, në rrjetin social X.

“Urdhri i ditës është vigjilenca”, shtoi ai.

Gjermania, njëra nga vendet që i jep më së shumti pajisje ushtarake Ukrainës, është cak i madh i operacioneve ruse të spiunazhit, të cilat janë rritur dukshëm që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 2022, kanë paralajmëruar autoritetet.

SHIKONI EDHE: Berlini me ndihmë të re ushtarake për Kievin në vlerë prej afër 3 miliardë eurosh

Në një rast, një burrë dorëzoi informacione të siguruara gjatë punës së tij me qëllim për t’ia dërguar shërbimit inteligjent rus, theksoi zyra e prokurorit.

Ai ua arrestua në Koblenz, në zyrat e agjencisë së prokurimit në perëndim të Gjermanisë. Shtëpia dhe vendi i punës së tij u bastisën.

Me vendim të gjykatësit, ai është futur në paraburgim të mërkurën.

Zyra e prokurorit nuk ka dhënë hollësi të tjera. Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë nuk ka dashur të komentojë për këtë rast.

Gati 12 mijë njerëz punojnë për agjencinë e prokurimit në Gjermani, në mesin e tyre edhe rreth 1.800 ushtarë.

Në dhjetor, autoritetet e arrestuan një punëtor të Shërbimit të Jashtëm Sekret të Gjermanisë, i cili dyshohet se spiunonte për Rusinë.