Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka shënuar rezultate historike në zgjedhjet rajonale të së dielës. Rezultatet preliminare i kanë dhënë kësaj partie fitore të qartë në Turinigi, ndërkaq ky subjekt është e dyta, me një diferencë të ngushtë në Saksoni.
Fitorja e AfD-së në Turingi është fitorja e parë në zgjedhje në Gjermani e një partie të ekstremit të djathtë që nga mposhtja e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas rezultateve preliminare, në Turingia, AfD-ja ka fituar 32.8 për qind të votave, duke lënë pas CDU-në me 23.6 për qind.
SHIKONI EDHE: Peizazhin politik të Gjermanisë e rrezikon rritja e forcave të ekstremit të djathtë dhe të majtëNë Saksoni, Demokristianët (CDU), që aktualisht janë në pushtet, sipas rezultateve preliminare kanë një epërsi të vogël ndaj AfD-së. CDU-ja ka fituar 31.9 për qind të votave, ndërkaq AfD-ja 30.6 për qind.
Rezultatet e zgjedhjeve – dhe më pas bisedimet për koalicion – do të përcaktojnë balancën e pushtetit në parlamentet shtetërore të Turingias dhe Saksonisë, që kanë fuqi të konsiderueshme mbi çështjet rajonale.
Ndërkaq, tre partitë e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz u përballën me humbje.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të thellojë edhe më shumë përçarjen mes parterëve të koalicionit vetëm një vit para se Gjermania të mbajë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të caktuara për shtatorin e vitit 2025.
Pavarësisht përfitimeve të mëdha, AfD-ja nuk e ka fituar shumën dhe ka pak gjasa që të gjejë partnerë koalicioni si në Turingia, ashtu edhe në Saksoni, pasi politikanët nga kampet e tjera politike në këto lande kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me partinë e ekstremit të djathtë.
SHIKONI EDHE: Partia e ekstremit të djathtë shënon rritje në GjermaniPartitë e mëdha gjermane përveç se kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me AfD-në, vazhdimisht kanë thënë se kjo parti është shumë ekstreme dhe paraqet kërcënim për traditat demokratike të Gjermanisë.
Si Turingia, ashtu edhe Saksonia ndodhën në vendin kur dikur ishte Gjermania Lindore. Shtetet janë relativisht të vogla – në të dyja së bashku jetojnë pothuajse 7 për qind e popullatës së Gjermanisë – por, popullariteti në rritje i AfD-së në këtë rajon mori vëmendjen në mbarë vendin.
Edhe një tjetër parti populiste, që është formuar së fundi, Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) – parti e cila ka qëndrime kundër migrantëve dhe politika ekonomike të krahut të majtë – u rendit në vendin e tretë në të dyja shtetet.
Dalja në zgjedhje në Turingia dhe Sanksioni ishte e lartë me 73.6 për qind, përkatësisht 74.4 për qind e votuesve morën pjesë në zgjedhje.
Zgjedhjet në shtetin tjetër lindor të Gjermanisë, në Brandenburg do të mbahen më 22 shtator dhe sipas sondazheve, AfD-ja po udhëheq edhe në këto zgjedhje parlamentare.