Gjermania planifikon që të nisë vaksinimin e të gjithë fëmijëve mbi 12 vjet deri në fund të gushtit, thuhet në një draft-dokument të Ministrisë gjermane të Shëndetësisë.
Pas një fillimi të ngadaltë të fushatës së vaksinimit kundër COVID-19, Gjermania tashmë ka përshpejtuar imunizimin e popullatës kundër virusit, shkruan Reuters.
Me mbi 40 për qind të popullatës prej 83 milionë banorësh që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, vëmendja tashmë është kthyer rreth pyetjes se nëse duhet që të vaksinohen edhe adoleshentët.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel më vonë gjatë të enjtes pritet të diskutojë pikërisht për këtë çështje me kryeministrat e 16 shteteve federale gjermane.
Megjithatë, opinioni në mesin e ekspertëve në Gjermani është i ndarë lidhur me vaksinimin e adoleshentëve. Disa shkencëtarë thonë se për shkak të mungesës së të dhënave lidhur me efektet afatgjate të vaksinimit, do të duhej që të vaksinoheshin vetëm adoleshentët që kanë sëmundje të rënda.
SHIKONI EDHE: Kanadaja autorizon vaksinën Pfizer për fëmijët 12-15 vjeçMegjithatë, në dokumentin e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e qartë se qeveria dëshiron që adoleshentët nga 12-18 vjeç të jenë vaksinuar të paktën me dozën e parë deri në fund të gushtit.
“Pasi të jetë marrë aprovimi për vaksinimin e adoleshentëve 12 vjeç e sipër, qeveria mëton të ofrojë doza të tjera të vaksinës për të gjitha shtetet që ky qëllim të arrihet”, thuhet në dokument.
Agjencia Evropiane e Barnave ka gjasa që të premten të marrë vendim për lejimin e vaksinimit të grupmoshës 12-15 vjeç me vaksinën e Pfizer/BioNTech.
Sipas dokumentit, Gjermania pret që të vaksinojë të paktën 60 për qind të kësaj grupmoshe. Për këtë, do të duhen 3.18 milionë doza të vaksinës, si për dozën e parë po ashtu edhe për atë të dytë.
Sipas Institutit Robert Koch, të enjten Gjermania regjistroi edhe 6.313 raste me koronavirus. Në total, ky shtet ka regjistruar mbi 3.66 milionë raste me COVID-19, ndërkaq, 87.995 persona kanë vdekur.