Si u rrit sërish e djathta ekstreme në Gjermani?

Një pankartë me portretin e ish-ministrit të propagandës naziste Joseph Goebbels dhe Bjoern Hoecke (djathtas), kandidat i AfD-së në zgjedhjet në Thuringia, gjatë një proteste kundër racizmit dhe planeve për dëbimin e migrantëve, në Bon, Gjermani, 21 janar 2024.

Associated Press

Kur Sabine Thonke u ishte bashkuar demonstratave në Berlin kundër partisë së ekstremist të djathtë në Gjermani, ishte hera e parë në shumë vjet që ka pasur shpresë që mund të ndalet rritja e fuqisë së ekstremistëve.

Thonke, 59-vjeçare, e ka vëzhguar me tension rritjen e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Mirëpo, kur ka dëgjuar për planet e dëbimit të miliona njerëzve, ajo e ka vërejtur nevojën për të vepruar.

“Nuk e kam menduar kurrë që ide të tilla çnjerëzore do të mund të fitonin popullaritet sërish në Gjermani. Kam menduar që kemi mësuar nga e kaluara”, ka thënë Thonke.

Shumë gjermanë kanë besuar që shteti i tyre ka krijuar imunitet ndaj nacionalizmit dhe qëndrimeve për epërsi racore, pasi ka luftuar më vonë me tmerret e nazistëve përmes edukimit dhe ligjeve që e kanë bërë persekutimin akt joligjor.

Ata kanë gabuar.

Sipas sondazheve, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, AfD-ja do të bëhej partia e dytë më e madhe në shtet.

Mirëpo, sondazhet kombëtare e fshehin një ndasi të rëndësishme: AfD-ja ka mbështetje joproporcionale në ish-rajonet komuniste në lindje të Gjermanisë.

SHIKONI EDHE: Rritja e pritur e së djathtës në PE mund të ndikojë në zgjerim

Pas rënies së komunizmit, më 1989, dhe bashkimit të Lindjes dhe Perëndimit të Gjermanisë një vit më vonë, shumë njerëz në pesë shtetet lindore, jo vetëm që i kanë humbur vendet e tyre të punës, por edhe kujtesën kolektive, duke i lënë të çorientuar dhe të pashpresë në sistemin kapitalist.

Rritja e AfD-së besohet se është nxitur nga zemërimi lidhur me inflacionin dhe mbi të gjitha, imigrimin.

BE-ja i ka pranuar 1.1 milion kërkesa për azil më 2023, numrin më të madh prej vitit 2015.

Gjermania ka pranuar më shumti kërkesa – më shumë se 300.000 – kryesisht prej Sirisë, Afganistanit dhe Turqisë.

Ky shtet i ka pranuar më shumë se një milion refugjatë ukrainas, të zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës së nisur prej Rusisë.

Votuesit në Gjermani dhe nëpër Evropë janë duke i forcuar secilën herë e më shumë partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë, të cilat premtojnë kufizim të migrimit, dhe në disa raste kufizim të lirive demokratike, fetare, të shprehjes dhe të drejtës për të protestuar.

Këto forca janë duke u rritur në Francë, Itali, Holandë dhe Austri.

Mësimet e Luftës së Dytë Botërore

Pas vitit 1945, banorët në perëndim të Gjermanisë janë rritur me parimin që nuk duhet të ekzistojë më kurrë diktaturë në tokën gjermane.

Liderët e Gjermanisë Perëndimore kanë bërë vizita në Izrael dhe u kanë kërkuar falje shteteve të pushtuara prej nazistëve, derisa nxënësit janë dërguar për t’i parë kampet e përqendrimit, apo vendet përkujtimore për Holokaustin.

Mirëpo, në pjesën lindore, shoqëri e vetëshpallur anti-fashiste, të rinjtë vetëm kanë mësuar se janë pasardhës të viktimave të nazistëve.

Thonke, e cila punon në një kompani të ujit në Berlin, është rritur në Bavari, e ka cila qenë pjesë e Gjermanisë Perëndimore, para bashkimit më 1990.

Ajo ka thënë se nuk ka folur shumë me gjyshërit e saj – gjeneratën e nazistëve – rreth asaj se çfarë ka ndodhur gjatë Rajhut të Tretë, mirëpo ka mësuar në shkollë për rritjen e Adolf Hitlerit dhe Holokaustin.

Ajo ka thënë se e djathta ekstreme ditëve të sotme po përdor taktikat e njëjta, duke shfrytëzuar frikën e njerëzve për të fituar besimin dhe votat e tyre.

“E kuptoj që shumë njerëz janë zhvendosur prej të gjitha krizave – pandemisë së koronavirusit, luftës në Ukrainë, migrantëve, inflacionit – dhe janë të frikësuar që gjërat do të bëhen edhe më keq”, ka thënë Thonke.

“Mirëpo, zgjidhjet që ofron AfD-ja nuk do t’i zgjidhin këto probleme”.

Sondazhet tregojnë që AfD-ja është partia kryesore në landet lindore të Saksonisë dhe Turingisë, me rreth 35 për qind mbështetje në secilën prej tyre.

SHIKONI EDHE: Rritja e pritur e së djathtës në PE mund të ndikojë në zgjerim

Të dyja shtetet kanë zgjedhje këtë vit, bashkë me landin tjetër lindor Brandenburgun, ku AfD-ja pritet të shënojë fitore të konsiderueshme.

Kjo parti gëzon më së shumti mbështetje në mesin e burrave dhe të rinjve.

Në zgjedhjet e fundit shtetërore në Hese dhe Bavari, në tetor të vitit të kaluar, AfD-ja është rritur kryesisht në mesin e votuesve 24-vjeçar, e më të rinj.

Ekspertët kanë thënë se arsyeja mbrapa lidhet me zemërimin për migrimin dhe prezencën e partisë në internet. Rreth dy të tretat e votuesve të partisë janë burra.

Partia ka përfituar edhe prej zemërimit të thellë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

SHIKONI EDHE: Scholz kujton përgjegjësinë e Gjermanisë për Holokaustin

Qeveria e tij ka ardhur në pushtet dy vjet më parë me një agjende progresive e moderne, mirëpo tani konsiderohet prej shumë votuesve si jofunksionale dhe e paaftë.

Dega e AfD-së në Turingi është ndër më radikalet, dhe është vënë nën vëzhgim të shërbimeve të brendshme të inteligjencës katër vjet më parë, si grup “i dëshmuar i ekstremit të djathtë”.

Lideri i AfD-së në Turingi, Bjoern Hoecke, ka shpërfaqur disa herë qëndrime revizioniste për të kaluarën naziste të Gjermanisë.

Më 2018, ai e ka quajtur vendin përkujtimor të Holokaustit në Berlin si “monument të turpit” dhe i ka bërë thirrje Gjermanisë që të bëjë “ndryshim prej 180 shkallësh” në mënyrë që të kujtojë të kaluarën.

“AfD-ja është parti nacionaliste dhe nacionalistët duan të jenë krenarë për historinë e tyre, dhe secili që dëshiron të jetë krenar për historinë gjermane duhet të minimizojë dhe të mohojë turpin e krimeve të nazistëve në mënyrë që të mund të tregohet historia e madhështisë kombëtare”, ka thënë Jens-Christian Wagner, historian dhe udhëheqës i memorialit Buchenwald, ish-kamp përqendrimi në Turingi, ku nazistët i kanë vrarë më shumë se 56.000 njerëz.

Sulmet ndaj ish-kampeve të përqendrimit janë shumëfishuar në muajt e fundit.

Wagner beson se ky realitet është rezultat “revizionist, antisemitik dhe me slogane raciste” është promovuar prej AfD-së.

SHIKONI EDHE: Një vit me sfida politike për Gjermaninë

Zile zgjimi

Prej janarit, nëpër Gjermani është raportuar për një valë protestash kundër së djathtës ekstreme, të nxitura prej raportimeve që ekstremistë të krahut të djathtë kanë diskutuar për dëbim të miliona migrantëve, përfshirë disa me shtetësi gjermane.

Pjesëtarë të AfD-së kanë qenë prezentë në takim, bashkë me Martin Sellnerin, një austriak të ri me lidhje neo-naziste dhe i dënuar për ekstremizëm të dhunshëm.

Takimi i nëntorit ka qenë për disa si rikujtim i Konferencës Wannsee, kur nazistët janë pajtuar për të ashtuquajturën “zgjidhje finale” – që ka rezultuar me vrasjen e 6 milionë hebrenjve.

Sikurse në dimrin e vitit 1942, kur zyrtarë të lartë nazistë janë takuar fshehurazi në një vilë afër liqenit jashtë Berlinit, edhe takimi i fundit është zhvilluar në fshehtësi në një vilë jo shumë larg kryeqytetit gjerman.

Javë pas jave, miliona gjermanë kanë dalë në rrugë për të protestuar me sloganet “Kurrë më është tani”, “Kundër dhunës”, dhe “Mbrojeni demokracinë”.

SHIKONI EDHE: Marsh në Frankfurt kundër të djathtës ekstreme

Protesta në qytetet si Berlini, Munihu, Hamburgu apo Dyseldorfi, kanë rezultuar me pjesëmarrje të qindra mijëra personave – aq shumë sa që disa marshe kanë përfunduar më herët sesa ishte e planifikuar, për shkak të shqetësimeve për përshkallëzim të situatës.

Njerëzit kanë dalë për të protestuar edhe në qyteza më të vogla dhe e kanë shprehur zemërimin e tyre për rritjen e popullizmit të djathtë nëpër kutitë e votimit.

Më shumë se 2.4 milionë njerëz u janë bashkuar protestave kundër AfD-së, të cilat kanë nisur në mesin e muajit janar, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane.

Organizatorët e protestave kanë vlerësuar që më shumë se 3.6 milionë njerëz kanë marrë pjesë.

Në mesin e tyre ka qenë Thonke, e cila ka marrë pjesë në dy marshe prodemokracisë në Berlin, e shtensionuar që vendi i saj, më në fund “është zgjuar”.

“Nuk e kam më këtë ndjenjën e pafuqisë që e kam pasur në vjetët e fundit teksa e kam shikuar rritjen dhe suksesin e AfD-së”, ka thënë ajo, duke shtuar se qeveria duhet të bëjë më shumë.

“Qeverisë i duhet të gjejë zgjidhje për krizën e migrantëve, përndryshe AfD-ja do të vazhdojë ta shfrytëzojë këtë temë për qëllimet e veta dhe të bëhet edhe më e fuqishme”, ka thënë ajo.

SHIKONI EDHE:

Gjermania ndal fondet për partinë e ekstremit të djathtë për shkak të ideologjisë

Valët paraprake të protestave kundër Islamit dhe kundër lëvizjes kundër migrantëve PEGIDA, e kanë humbur ritmin e tyre, ndonëse nuk kanë qenë aq të mëdha sa ato kundër AfD-së.

Megjithatë, partia është duke u rritur.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo e ka shënuar suksesin e parë të madh, pasi për herë të parë një kandidat i saj ka fituar në zgjedhjet komunale në Pirna të Saksonisë.

Tani, partia i ka sytë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor.

Nëse Thonke dhe protestuesit tjerë dëshirojnë të ndalin vrullin e të djathtës, ata do të duhet t’i bindin qytetarët tjerë, jo vetëm që të protestojnë, por edhe të dalin sa më shumë në votime.

Përgatiti: Krenare Cubolli