Gjermania legalizon kanabisin

Ndërtesa e Parlamentit gjerman. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjermania i është bashkuar një grupi të vogël shtetesh dhe juridiksionesh që kanë legalizuar kanabisin, pasi Bundestagu miratoi një ligj që u lejon individëve dhe shoqatave vullnetare për të kultivuar dhe për të poseduar sasi të kufizuar të kësaj droge.

Ligji, që u miratua nga koalicioni i përbërë prej tre subjekteve politike i kancelarit Olaf Scholz, legalizon kultivimin deri në tri bimë për përdorim privat dhe posedimin e 25 gramëve kanabis.

Prodhimi i kanabisit në shkallë të madhe, por pa qëllime komerciale, do të lejohet për anëtarët e të ashtuquajturave klube të kanabisit. Këto klube nuk mund të kenë mbi 500 anëtarë dhe që të gjithë duhet të jenë në moshë madhore. Vetëm anëtarët e klubeve mund të konsumojnë produktet e tyre.

“Ne kemi dy qëllime: të shtypim tregun e zi dhe të përmirësojmë mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve”, tha ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, në nisje të debatit në Parlament.

Gjatë debatit opozita e akuzoi ministrin e Shëndetësisë se po promovon përdorimin e drogës.

“Ju po pohoni me gjithë seriozitet se duke legalizuar më shumë drogë, ju do të mund të frenonim të rinjtë që ta përdorin atë”, tha ligjvënësit kristiandemorkat, Tino Sorge.

“Ky është budallallëku më i madh që kam dëgjuar ndonjëherë”.

Afër 4.5 milionë gjermanë vlerësohet se përdorin kanabisin.

Gjermania bëhet shteti i nëntë që legalizon përdorimin rekreativ të kësaj droge, që po ashtu është legal në disa shtete të Shteteve të Bashkuara dhe Australi.

Shumë shtete lejojnë që kanabisi të përdoret për qëllime shëndetësore.

Kanabisi vazhdon të jetë i jashtëligjshëm për minorët dhe kjo drogë nuk mund të konsumohet afër shkollave dhe këndeve të lojërave.

Legjislacioni pritet të votohet më 22 mars në Dhomën e Lartë të Parlamentit gjerman. Nga 1 prilli pritet të hyjë në fuqi lejimi për kultivimin dhe posedimin e sasive të vogla të kësaj droge për përdorim personal për të rriturit, ndërkaq kultivimi jokomercial nga klubet e kanabisit do të jetë legal nga 1 qershori.