Pas bastisjes së dhjetëra lokacioneve në 11 shtete federale të Gjermanisë, policia gjermane ka arrestuar 25 persona, të cilët dyshoheshin për komplot për rrëzimin e Qeverisë. Ata thuhet se i përkasin një grupi të ekstremit të djathtë.
Prokurorët federalë thanë se në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 3.000 policë, të cilët kryen bastisje në 130 lokacione.
Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, e përshkroi aksionin si "operacion anti-terrorizëm", dhe tha se dyshohet se grupi kishte planifikuar një sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit.
Raportimet në mediat gjermane thonë se grupi i përbërë nga figura të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakë, kishte bërë "përgatitje konkrete" për të sulmuar ndërtesën e Parlamentit, Reichstag, për të marrë pushtetin.
Sipas autoriteteve gjermane, 22 nga 25 të arrestuarit janë shtetas gjerman, ndërsa tre të tjerë, përfshirë një shtetas rus, dyshohet se e mbështesnin grupin.
Rusia hodhi përfshirjen në rastin në Gjermani, duke e cilësuar si “çështje të brendshme”.
“Nuk ka ndërhyrje të Rusisë në këtë çështje”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas mediave ruse.
Në krye të grupit dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII.
Prokurorët federalë thanë se grupi planifikoi që ta instalonte atë si udhëheqësin e ri të Gjermanisë, dhe për këtë arsye vetë 71-vjeçari dyshohet se kishte kontaktuar me zyrtarët rusë me qëllim të negocimit të një rendi të ri në vend, pasi Qeveria gjermane të rrëzohej. Ai dyshohet se u ndihmua nga një grua ruse, Vitalia B.
Prokurorët identifikuan edhe një person tjetër të ndaluar nga policia.
Gazeta gjermane Der Spiegel raportoi se ajo është gjyqtare dhe ish-deputete e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.
Partia, e njohur me akronimin e saj gjerman AfD, është vënë gjithnjë e më shumë nën vëzhgimin e shërbimeve gjermane të sigurisë për shkak të lidhjeve të saj me ekstremistët.
Bashkëdrejtuesit e AfD-së, Tino Chrupalla dhe Alice Weidel dënuan planet e raportuara, për të cilat ata thanë se i kishin mësuar vetëm përmes raportimeve në media.
"Ne kemi besim të plotë në autoritetet e përfshira dhe kërkojmë një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës", thanë ata në një deklaratë.
Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se bastisjet treguan se "ne dimë të mbrohemi kundër armiqve të demokracisë”.
"Vetëm hetimi i mëtejshëm do të tregojë një pamje të qartë se sa larg kishin arritur planet për grushtshtet”, tha ajo.
Zyrtarët kanë paralajmëruar vazhdimisht se ekstremistët e ekstremit të djathtë përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e brendshme të Gjermanisë.
Kryeprokurori federal i Gjermanisë pritet të deklarohet për media më vonë gjatë ditës.
Pjesë e këtij grupi thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët janë prej kohësh në vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste.
Ata, gjithashtu, refuzojnë ta njohin shtetin modern gjerman.
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për ta përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.