Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, ka thënë të premten se mbështetësit e Hamasit duhet të dëbohen nga shteti, në rastet kur është e mundshme.
Ajo ka thënë se autoritetet duhet ta mbajnë një sy hapur për kërcënimet e mundshme që i kanosen Gjermanisë, pas sulmeve të grupit militant palestinez në Izrael.
“Nëse mund t’i dëbojmë mbështetësit e Hamasit, duhet të veprojmë ashtu”, ka thënë Faeser, pas diskutimeve që ka pasur me Zyrën Federale të Policisë gjermane.
“Autoritetet tona të sigurisë e kanë rritur fokusin në skenën islamiste”, ka thënë ajo, duke e përmendur një sulm që ka ndodhur së fundi në Bruksel, si sinjal për kërcënimet.
Shqetësimet për antisemitizmin sa shkojnë e rriten në Gjermani, sidomos pas tentimeve për të kryer një sulm në një singogë të Berlinit, dhe pas përleshjeve mes protestuesve pro-palestinezë dhe policisë, në Berlin dhe qytete tjera gjermane.
Në të njëjtën kohë, pjesëtarët e komunitetit palestinez në Gjermani, kanë thënë se zërat e tyre po heshten nga ndalesat për të mbajtur protesta.
Faeser u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i alarmojnë autoritetet për çfarëdo “propagande” në mbështetje të Hamasit.
Izraeli i ka mbledhur dhjetëra mijëra ushtarë afër kufirit me Gazën, pas masakrës së 7 tetorit nga militantët e Hamasit në tokën izraelite.
Si hakmarrje, Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit – i cili e udhëheq Gazën - dhe është zotuar se do ta shkatërrojë grupin.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se rreth 4.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.500 janë plagosur nga sulmet izraelite.
SHIKONI EDHE: Gaza nën rrethim: Radhë për bukë, ujë i ndotur dhe shpërthime të pareshturaBanorët atje – mbi 2.1 milionë - kanë mbetur pa furnizime me ushqim, ujë dhe naftë – sipas vendimit izraelit të marrë pak pas sulmeve të Hamasit në Izrael.
Nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 1.400 njerëz.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë që Hamasi besohet se i ka marrë edhe 206 pengje në sulmet që i ka kryer në Izrael, dhe dyshohet se i ka dërguar në Gazë.