"Shumica e gjermanëve" e konsiderojnë dërgimin e armëve në Ukrainë si përfshirje në luftë

Tanket gjermane Leopard 2 që do t’i dërgohen Ukrainës.

Shumica e gjermanëve besojnë se dërgimi i armëve të Gjermanisë në Ukrainë, nënkupton që shteti i tyre është duke marrë pjesë në luftë.

Në një anketë të realizuar nga Instituti YouGov, 51 për qind e respodentëve pajtohen me këtë vlerësim, ndërsa vetëm 37 për qind nuk pajtohen, transmeton agjencia e lajmeve dpa.

Të dhënat bazohen nga intervistimi i mbi 2.000 respodentëve të moshës mbi 18-vjeçare.

Ekspertët e ligjit ndërkombëtar pajtohen se dërgimi i armëve në luftë nuk e bën furnizuesin palë në luftë – pavarësisht se çfarë armësh janë ato.

Megjithatë, Rusia i konsideron aleatët perëndimorë të Ukrainës si pjesëmarrëse në luftë.

Prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, një vit më parë, Qeveria gjermane ka miratuar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë të 2.6 miliardë dollarëve.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kiel për Ekonomi Botërore, këto shifra e bëjnë Gjermaninë shtetin e katërt që ka i ka ofruar më shumti ndihmë Ukrainës, pas Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Polonisë.

Një vit pas nisjes së luftës, një pjesë e popullsisë së Gjermanisë është skeptike për dërgimin e armëve në Ukrainë, pasi 40 për qind e respodentëve kanë thënë se shumë armë gjermane janë duke shkuar në territorin ukrainas.

Dërgimi i tankeve të avancuara Leopard 2 po ashtu nuk pëlqehet shumë, pasi 44 për qind mendojnë se është vendim i gabuar dhe 41 për qind mendojnë se është vendim i drejtë.

Qeveria gjermane synon të dërgojë 18 tanket e para Leopard 2 në zonë të luftës deri në fund të marsit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.