Gjermania regjistron shkallën më të lartë të infektimit me koronavirus

Pamje nga një qendër vaksinimi kundër koronavirusit në Berlin. Fotografi nga arkivi.

Shkalla e infektimit me koronavirus në Gjermani është rritur në nivelin më të lartë, prej shpërthimit të pandemisë.

Sipas Institutit Robert Koch, mesatarja e infektimit në periudhë shtatëditore ka shkuar 303 persona për 100,000 banorë, në krahasim me 289 sa ka qenë një ditë më parë.

Numri total i viktimave është rritur për 43 brenda 24 orëve, duke prekur totalin e 97,715.

Tri partitë që synojnë të formojnë koalicionin, planifikojnë të ashpërsojnë masat për të luftuar përhapjen e një vale të re të infektimeve, ka thënë bashkudhëheqësi i Partisë së Gjelbër, Robert Habeck.

SHIKONI EDHE: Merkel bën thirrje për vaksinim që të evitohet një valë e pandemisë në dimër  

“Ne do të zgjerojmë kufizimet në krahasim me propozimet që kemi bërë në fillim”, ka thënë ai për transmetuesin ARD.

Të shtunën, tre ministra të landeve gjermane, u kanë bërë thirrje partive që po negociojnë për qeverinë e re, që landeve t’iu zgjatet periudha kur mund të marrin vendime të ashpra për pandeminë, siç janë izolimet apo mbylljet e shkollave.