Gjeorgjia tërheq ligjin për "agjentët e huaj" pas protestave të dhunshme

Protestat ne Gjeorgji, më 8 mars 2023

Pas protestave të dhunshme që zgjatën dy ditë, dhe kritikave të ashpra nga Perëndimi, partia qeverisëse e Gjeorgjisë ka tërhequr nga Parlamenti projektligjin për “agjentët e huaj”.

"Si parti qeverisëse përgjegjëse ndaj çdo anëtari të shoqërisë, ne kemi vendosur ta tërheqim pa kushte këtë projektligj që ne e mbështetëm", tha partia Ëndrra Gjeorgjiane, në një komunikatë në faqen e saj të internetit më 9 mars.

Protestat shpërthyen më 7 mars, kur ligjvënësit e Parlamentit gjeorgjian morën parasysh këtë ligj.

Ligji i propozuar, i cili u mbështet nga partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, dhe u miratua me nxitim në leximin e parë, kërkonte që organizatat e shoqërisë civile që marrin mbi 20 për qind të financimit të tyre nga burime të huaja të etiketohen si "agjentë të huaj".

Kritikët thanë se ky ligj pasqyronte legjislacionin rus që ka kufizuar punën e gazetarëve të pavarur dhe institucioneve demokratike, sidomos mediat e huaja ose të financuara nga jashtë.

Ngjashmëria e projektligjit gjeorgjian me atë rus provokoi zemërim të gjerë në mesin e gjeorgjianëve, të cilët protestuan për dy ditë në rrugët e kryeqytetit, ku u pritën me gaz lotsjellës dhe topa uji nga forcat e sigurisë dhe policia.

Your browser doesn’t support HTML5

Protesta të dhunshme në Tbilisi

Protestuesit brohoritën "Jo ligjit rus" teksa kënduan himnet e Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian. Një pankartë e mbajtur gjatë protestave më 8 mars - në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, thoshte: "Gratë kundër kontrollit total".

Dhjetëra njerëz u arrestuan dhe Ministria e Brendshme tha se të paktën 50 policë ishin plagosur gjatë përleshjeve.

Partia Ëndrra Gjeorgjiane tha në deklaratën e saj se projektligji ishte "interpretuar keq", duke shtuar se do të nisë konsultimet publike për të "shpjeguar më mirë" qëllimin e tij.

Zyrtarë nga partitë opozitare, duke folur pas tërheqjes së projektligjit, thanë se protestat do të vazhdojnë derisa qeveria të distancohet zyrtarisht nga projektligji për "agjentët e huaj" dhe të lirojë të gjithë të arrestuarit gjatë protestave.

Opozita e Gjeorgjisë e ka kritikuar shpesh partinë qeverisëse për lidhje të ngushta me Moskën, e cila mbështet separatistët në rajonet separatiste gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Ndikimi rus është një çështje e ndjeshme në Gjeorgji. Rusia pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008, pas së cilës Moska njohu Osetinë e Jugut dhe një rajon tjetër, Abkhazinë, si vende të pavarura dhe vendosi mijëra ushtarë të saj në ato zona.

SHIKONI EDHE: Politika “dëmton” lirinë e mediave 

Presidentja e vendit, Salome Zurabishvili, kishte thënë se do të vendosë veto ndaj projektligjit, megjithëse Parlamenti mund ta kishte anuluar veton e saj.

Delegacioni i BE-së në Gjeorgji tha në një postim në Twitter se e mirëpret njoftimin për tërheqjen e projektligjit.

“Ne inkurajojmë të gjithë liderët politikë në Gjeorgji që të rifillojnë reformat pro-BE, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive dhe në përputhje me 12 prioritetet që Gjeorgjia të arrijë statusin e kandidatit”, thuhet në deklaratë.

Gjeorgjia ka lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por zyrtarët e BE-së thanë se ligji për "agjentët e huaj" do të ndërlikonte rrugën e anëtarësimit të vendit.

Vitin e kaluar, blloku nuk pranoi t'i jepte statusin e kandidatit Gjeorgjisë, duke përmendur reformat e ngecura në politikë dhe gjyqësor.