Qytetarët në Gjeorgji votojnë më 26 tetor në zgjedhjet parlamentare, që shihen si thelbësore për drejtimin e ardhshëm që do të marrë të shtetit, qoftë drejt Bashkimit Evropian apo Rusisë.
Në zgjedhjet po përballet partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane – që është në pushtet që nga viti 2012 – ndaj opozitës së ndarë që kërkon integrimin perëndimor.
Ëndrra Gjeorgjiane i ka përshkruar votimet si zgjedhje mes paqes apo luftës, duke argumentuar se nëse opozita fiton, ajo do ta tërheqë Gjeorgjinë në luftë kundër Rusisë.
Ndërkaq, opozita i ka portretizuar votimet e 26 tetorit si zgjedhje mes Perëndimit dhe Rusisë, mes demokracisë dhe autoritarizmit, një narrativë që është përmendur edhe nga zyrtarët në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, të cilët e kanë kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane për kthim prapa të demokracisë.
SHIKONI EDHE: Gjithçka që duhet të dini për zgjedhjet kyç në GjeorgjiNatia Yoseliani, zëdhënëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u tha gazetarëve mëngjesin e së shtunës se kishte probleme “të vogla teknike”, por situata ishte e qetë në 3.111 qendra të votimit.
Sistemi i ri zgjedhor nënkupton se partitë apo koalicionet duhet ta kalojnë pragun prej 5 për qind për të hyrë në Parlament. Kjo ka shtyrë partitë opozitare që të formojnë koalicione, në mënyrë që ta arrijnë pragun zgjedhor.
Ëndrra Gjeorgjiane u themelua nga ish-kryeministri, Bidzina Ivanishvili, që është njeriu më i pasur në shtet. Kremlini nuk e ka fshehur se dëshiron që Ëndrra Gjeorgjiane të fitojë zgjedhjet.
Sipas sondazheve, gjeorgjianët gjerësisht mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, por po ashtu dëshirojnë të shmangin një konflikt me Rusinë dhe janë shumë konservatorë sa i përket disa çështjeve, sikurse janë të drejtat e komunitetit LGBT.
Në mesin e ligjeve kundërthënëse që Ëndrra Gjeorgjiane ka miratuar është ligji që u kërkon grupeve që pranojnë 20 për qind apo më shumë të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.
Kundërshtarët e kanë cilësuar këtë si “ligj rus”, duke thënë se legjislacioni është inspiruar nga ligje të ngjashme që përdoren në Rusi për të shtypur disidencën.
Miratimi i ligjit më herët gjatë këtij viti nxiti protesta masive dhe shtyri SHBA-në të vendosë sanksione ndaj disa gjeorgjianëve dhe kërcënoi me ndërprerjen e ndihmës për Tbilisin.
BE-ja ka thënë se mund të vendosë për anulim të përkohshëm të regjimit pa viza me Gjeorgjinë, nëse zgjedhjet “nuk janë të lira dhe të drejta”.
Ëndrra Gjeorgjiane po ashtu ka miratuar një ligj tjetër që kufizon të drejtat e komunitetit LGBT.
Katër partitë opozitare që me gjasë do të kalojnë pragun janë: Uniteti – Për të shpëtuar Gjeorgjinë, një koalicion i udhëhequr nga ish-partia në pushtet, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (ENM) ; Koalicioni për Ndryshim, që kryesisht përbëhet nga ish-figura të tjera të lidhura me ENM-në; Gjeorgjia e Fortë, një koalicion me pikëpamje të ndryshme ideologjike, që ka tentuar ta pozicionojë veten as si ENM-ja, e as si Ëndrra Gjeorgjiane dhe Për Gjeorgjinë, një parti që udhëhiqet nga Giorgi Gakharia, i cili ishte kryeministër nga viti 2019 deri më 2021,në Qeverinë e Ëndrrës Gjeorgjiane, por më pas u prish me këtë subjekt.
Për herë të parë, Gjeorgjia po përdor në këto zgjedhje sistemin elektronik të numërimit të votave dhe rezultatet pritet të bëhen të ditura një apo dy orë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 20:00, sipas kohës lokale në Gjeorgji.