Parlamenti i Moldavisë ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë tjera, pasi Qeveria ka thënë se ende i duhet më shumë pushtet për t’u përballur me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kryeministrja moldave, Natalia Gavrilita, u ka thënë ligjvënësve se ka rreziqe të vazhdueshme për energjinë dhe sigurinë kufitare.
Ajo ka përmendur edhe nevojën e menaxhimit të valës së refugjatëve nga Ukraina.
“Rreziku për Moldavinë, për shkak të luftës në Ukrainë, është i lartë. Qeverisë i duhet pushtet shtesë”, ka thënë ajo.
Gjendja e jashtëzakonshme do të zbatohet nga 8 gushti deri më 8 tetor.
Rreth 500.000 banorë të Ukrainës kanë ikur nga shteti i tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin në muajin shkurt.
Rreth 100.000 prej tyre vazhdojnë të jenë në Moldavi.
Parlamenti i Moldavisë ka shpallur fillimisht gjendjen e jashtëzakonshme dy ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Kjo masë është zgjatur më pas përmes votimeve në prill dhe qershor.
Moldavia nuk është as anëtare e Bashkimit Evropian dhe as NATO-s.
Ajo bashkë me Ukrainën, kanë marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në bllokun evropian, në qershor të këtij viti.
SHIKONI EDHE: Pse statusi i kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë nuk nënkupton anëtarësim të shpejtë në BE?Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.